E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikelme ikën pas sherrit me Maradonën

Era e polemikës ishte ndjerë prej disa ditësh dhe Rikelme ka vendosur të kalojë në kundërsulm, duke deklaruar tërheqjen e tij përfundimtare nga Kombëtarja. I bezdisur nga fjalët e Diegos në drejtim të tij, sipas të cilave "Rikelmeja aktual nuk do të ishte i nevojshëm për asgjë në Kombëtare", gjatë lajmeve të mbrëmjes të martën në "Telenoche", fantazisti i Bokas është treguar kategorik në njoftimin e lamtumirës nga Argjentina. Ka ardhur më pas edhe përgjigjja e Maradonës, i cili ka bërë të ditur se "Rikelme ka gabuar rëndë, dhe që nga ky moment ai do të fshihet nga projektet për të ardhmen e skuadrës".

Vendimi i Rikelme i ka befasuar të gjithë. "Nuk kemi të njëjtat kode sjelljeje. Ai shkon në një drejtim dhe unë në një tjetër, prandaj do të ishte e pamundur të punojmë së bashku", ka thënë Rikelme pak para se të lajmëronte tërheqjen nga Kombëtarja dhe, në vazhdim, heqjen dorë nga Botërori i ardhshëm në Afrikën e Jugut. "E dija që isha grumbulluar për ndeshjen ndaj Francës, por vendosa të mos marr pjesë pas një telefonate të Bilardos. Që kur Maradona është bërë trajner, nuk më ka folur kurrë, por nëpër gazeta ka kritikuar vazhdimisht paraqitjet e mia", është ankuar Rikelme. Fantazisti 30-vjeçar, duke pohuar se "është shumë i vjetër për t‘u marrë me situata të tilla", ka thënë se "do ta vuajë shumë vendimin e marrë", por "është e pamundur të punoj me një person me të cilin nuk kuptohem reciprokisht". Gjithsesi u ka uruar fat shokëve për aventurën e ardhshme botërore, duke deklaruar që "të luash për Kombëtaren është gjëja më e bukur që mund t‘i ndodhë një futbollisti". Rikelme ka përfunduar prononcimin e tij duke siguruar se nuk do të bëjë asnjë hap prapa.

Reagim i menjëhershëm i Maradonës, i cili edhe pse kishte kritikuar paraqitjen e tij në një intervistë të fundit, nuk e ka fshehur kurrë dobësinë për numrin 10, aq sa kishte deklaruar para kohe se kishte ndërmend ta grumbullonte për ndeshjet eliminatore të fundit të marsit. "Rikelme ka gabuar shumë rëndë. Më vjen shumë keq, por sigurisht nuk do të filloj të qaj", u shpreh pak minuta më parë në një intervistë telefonike. "Kam menduar gjithmonë për një skuadër me Rikelmen në udhëheqje të saj, por që sot do ta fshij totalisht nga planet e mia", ka përfunduar trajneri i Argjentinës, i cili i ka qëndruar besnik premtimit të bërë në momentin e marrjes së detyrës, kur deklaroi se "kushdo që do të hiqte dorë nga një grumbullim, duhet ta harrojë bluzën e Kombëtares".

Maradona është shprehur i befasuar për atë që deri dje qarkullonte nën zë si përplasja mes tij dhe Rikelmesë dhe ka mohuar të ketë pasur ndonjë sherr të vjetër mes tyre. Ai theksoi se kishte tentuar vazhdimisht të lidhej në telefon me futbollistin në fjalë, por kishte qenë e pamundur. "Nuk e di se kujt i referohet kur flet për kode sjelljeje të ndryshme. Po bëj vetëm punën time të trajnerit të Kombëtares, dhe Rikelme duhet të kuptojë se përveç 22 të grumbulluarve, janë të paktën 15 të tjerë të cilët pretendojnë të luajnë në Kombëtar", ka thënë në fund Maradona.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›