E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit thërret Florentino Perez

Humbja 4-0 me Liverpulin ka lënë pasoja në radhët e Realit të Madridit. "Merengues" u eliminuan në 1/8 e Ligës së Kampioneve për të pestën herë radhazi, duke u detyruar të heqin dorë nga ëndrra për trofeun e dhjetë në aktivitetin prestigjioz. Pesë presidentë të ndryshëm dhe 7 trajnerë nuk kanë mjaftuar për të ndryshuar ecurinë negative në Evropë. Ata nuk arrijnë të kualifikohen në çerekfinalet e Champions-it që prej 9 marsit 2005, kur u eliminuan nga Juventusi. Në vitin 2006, spanjollët u nënshtruan nga Arsenali, ndërsa pas "topçinjve" erdhën humbjet me Bajernin e Mynihut, Romën dhe tashmë me Liverpulin. Pas këtyre zhgënjimeve, të gjithë kërkojnë rikthimin në krye të Realit të "shpëtimtarit" Fiorentino Perez. Për koincidencë, triumfet e skuadrës në kontinent kanë përfunduar me largimin e njeriut që ndërtoi "Galaktikët". Perez shihet si i vetmi që mund të rikthejë klubin në ditët e lavdishme, edhe sepse finalja e vitit të ardhshëm luhet në "Santiago Bernabeu".

Shpartallimi në "Anfilld Roud" është komentuar gjatë nga mediat iberike. Për të përditshmen katalane "Sport": "Në ‘Anfilld‘, ora 22:30, Madridi ka ‘vdekur‘ për të pestën herë radhazi në 1/8 e Ligës së Kampioneve. Presidenti i klubit, drejtuesit, trajneri, lojtarët dhe tifozët qajnë për humbjen më të thellë të pësuar në këtë aktivitet". Titujt e gazetave të tjera vërtiteshin rreth fjalës "chorreo" (shkatërrim, fitore e thjeshtë), të përdorur nga kreu i klubit, Visente Boluda, përpara ndeshjes së parë me skuadrën e Rafa Benitez (të humbur 1-0 në Madrid). Zhgënjimi ishte i dukshëm në faqen e parë të "Marca"-s: "Benitez na dha një leksion taktik, teknik dhe fizik. Liverpuli turpëron Realin nga minuta e parë deri në të 93-ën. Torres dhe Xherard, të jashtëzakonshëm. San Iker ka evituar humbjen 8-0". Në kolonat e gazetës madrilene publikoheshin edhe citimet e Predrag Mijatoviç, që deklaronte: "Kërkoj falje për këtë humbje". Por, fjalët e tij duket se nuk janë marrë parasysh, pasi tashmë drejtori sportiv duket fare pranë largimit nga detyra. Sipas "As": "Kasiljas nuk e meritonte diçka të tillë", duke kërkuar "ndryshime dhe rinovim të skuadrës në të ardhmen". Në faqen e dytë të kësaj gazete kërkohej: "Largojini të gjithë, përveç Ikerit (Kasiljas) dhe Lasana Diarrasë". "Pas ndeshjes në ‘Anfilld‘ nevojitet katarsis", theksonte "Abc".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›