Rikonstruksion i shkollës Sotir Gurra, Përfundojnë rreth 80% e punimeve

Shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra”, është një prej institucioneve më të vjetra arsimore në Korçë, e cila përmes kësaj ndërhyrje të financuar nga bashkia e Korçës është duke marrë një pamje bashkëkohore.
“Në vitin e ardhshëm shkollor është e gatshme për nxënësit”, u shpreh Ing. Dijonis Shaholli, Përgjegjës i punimeve.
Përmes fondit prej 86,7 milionë lekësh është mundësuar edhe shtimi i ambienteve mësimore klasa e laboratorë të cilat janë ndërtuar te palestra ekzistuese e shkollës.
Ndërkohë pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një palestre të re në oborrin e pasme të shkollës e gjithashtu janë rinovuar edhe ambientet sportive e ato çlodhëse në pjesën e jashtme.
Gjatë kohës së kryerjes së punimeve nxënësit janë zhvendosur në shkollat Sevasti Qirjazi dhe Stavri Themeli, për të vijuar procesin mësimor. Në shtator, 640 nxënës dhe 47 mësues do të nisin vitin e ri shkollor në kushte moderne dhe standarde të përmirësuara.
/rtsh.al/