Lezhë, një 46-vjeçar humb jetën nga rryma elektrike gjatë peshkimit

Një 46-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në zonën e Shënkollit, si pasojë e një incidenti me rrjetin elektrik. Ngjarja është regjistruar rreth orës 15:20 në lokacionin e njohur si “Ura e Shënkollit”.
Sipas informacionit paraprak të shpërndarë nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, viktima, i identifikuar me inicialet S. S., ndodhej në këtë zonë duke peshkuar me kallam. Bazuar në rindërtimin paraprak të dinamikës, dyshohet se mjeti i peshkimit ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke i shkaktuar 46-vjeçarit goditje fatale.
Forcat e policisë dhe një grup i posaçëm hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së njoftimit. Aktualisht, ekspertët po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale në terren për të përcaktuar shkaqet teknike dhe për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti.
/rtsh.al/