Rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës, kushte moderne për pacientët dhe mjekët

View this post on InstagramA post shared by Spitali Universitar i Traumës (@spitali_universitar_i_traumes)
TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se po vijon procesi i rikonstruksionit dhe modernizimit të Spitalit Universitar të Traumës, me synim krijimin e kushteve më bashkëkohore për pacientët dhe personelin shëndetësor.
MSHMS bën me dije se “ndërhyrjet e parashikuara synojnë një transformim të plotë të infrastrukturës spitalore, për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e standardeve të kujdesit shëndetësor”.
“Pjesë e këtij investimi është krijimi i një qendre moderne të traumës, e pajisur me ambiente të përmirësuara dhe teknologji inovative. Gjithashtu, po punohet për zgjerimin e sistemit të kondicionimit në të gjithë strukturën, për të garantuar kushte sa më optimale për pacientët dhe stafin mjekësor”, thuhet në njoftim.
Sipas MSHMS-së, standardet e reja janë tashmë të pranishme në godinën e rikonstruktuar, ku funksionojnë Konsultat e Specializuara Ambulatore dhe Shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme. Ndërkohë, puna vijon edhe në pjesët e tjera të Spitalit Universitar të Traumës.
Investimet në këtë institucion synojnë forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve më moderne, më efikase dhe më të aksesueshme për qytetarët.
/e.i/r.e/