E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i sallës së Kuvendit rrezikon të dështojë

Sesioni i ri parlamentar duhet të nisë me sallë të re. Deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do të kishin mundësinë të uleshin në karrige e tavolina më bashkëkohore dhe ministrat e rinj të kishin më shumë hapësirë në vendet e tyre, duke iu ofruar më shumë komoditet në sallën e madhe të Kuvendit. Por kjo gjë duket se nuk do të ndodhë të paktën jo në fillim të këtij sesioni parlamentar, për vetë faktin se rikonstruksioni i sallës së seancave parlamentare ka mbetur në vend numëro. Kjo për vetë faktin se deri më tani ka dështuar realizmi i tenderit për rikonstruksionin e sallës, pasi firmat, të cilat janë ofruar, nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar sipas ligjit. Nga burime jozyrtare pranë Kuvendit, mësohet se tenderi për projektin e ndërtimit, i cili arrin në 40 milionë lekë të vjetra, duhet të ishte bërë që në mars-prill të këtij viti, për t‘i dhënë më pas mundësi firmës fituese që me mbylljen e Kuvendit të niste punën për rikonstruksionin e sallës. Puna duhet të niste në fillim të muajit korrik dhe në fund të gushtit gjithçka të ishte gati me nisjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar. Shuma e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e sallës së Kuvendit, në të cilën përfshiheshin tavolina, karrige të reja, restaurimi i tavanit të sallës së seancave, si dhe restaurimi i tualeteve të kësaj godine, arrin në shumën prej rreth 500 milionë lekësh të vjetra. Por mungesa e seriozitetit të firmave të ofruara për të realizuar rikonstruksionin e sallës ka bërë që puna të mos nisë ende. Mësohet se Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka kërkuar me ngulm që brenda pak ditëve firmat të plotësojnë dokumentacionin dhe të nisë puna për rikonstruksionin e sallës, pasi ajo kërkon që të hedhë firmën mbi këtë projekt për të mbetur në emrin e saj rikonstruksioni, pavarësisht nëse do të jetë apo jo sërish ajo në krye të Kuvendit të ri. Gjatë katër viteve që Kuvendi është drejtuar nga Jozefina Topalli, imazhi i tij në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ashtu si dhe në sallën e seancave parlamentare, ka ndryshuar. Të vetmin premtim që Topalli nuk mbajti, megjithëse atë e bëri para mediave, ishte krijimi i sallës së mediave për gazetarë në katin përdhes së godinës së kryesisë së Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›