Rikonstruksioni, tuneli i Kalimashit rihapet më 20 maj
Zëvendësministri Noka: Punimet në tunel kanë mbaruar
Duket se afati i premtuar për hapjen e tunelit të Kalimashit në rrugën Durrës-Kukës do të zbatohet brenda muajit maj. Por ndërsa nga qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës është pritur se hapja e tunelit do të ndodhë në datën 15 maj, zyrtarë të Ministrisë së Transportit thonë se hapja e tunelit do të shtyhet me 5 ditë nga afati që ishte parashikuar më herët. Zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka, i pyetur dje nga gazeta standard lidhur me afatin e hapjes së tunelit bëri të ditur se punimet në tunel kanë mbaruar prej më se një jave, por hapja e tunelit do të zgjasë edhe rreth dy javë. Hapja e tunelit për qytetarët do të bëhet më datë 20 maj. Gjithë qytetarët, që do duan të udhëtojnë drejt Kosovës apo anasjelltas, mund të përdorin rrugën Durrës-Kukës, nëpërmjet tunelit të Kalimashit vetëm më datë 20 të këtij muaji, - ka bërë të ditur Noka. Sipas tij, vonesa prej pesë ditësh ka ndodhur si shkak i shirave të rëna kohët e fundit, që janë bërë shkak për lagien e materialeve të shtrimit të pjesës së brendshme të rrugës brenda tunelit. Në fakt punimet në tunel kanë mbaruar që në datën 26 prill 2010 dhe premtojnë hapjen e tunelit në kohë. Por shirat dëmtuan materialin e shtrimit, ndaj është lënë data 20 maj, afati për hapjen e tunelit të automjetet e qytetarëve, - sqaroi dje Noka për standard. Tuneli do të jetë kështu në shërbim të qytetarëve nga Kosova, që kryesisht vijnë të kalojnë pushimet në Shqipëri më datë 20 maj. Gjatë verës së kaluar, fluksi i automjeteve qe gati 3 herë më i lartë se pritshmëria që kishin parashikuar specialistët që ndërtuan rrugën. Maji i këtij viti do të kthejë zhurmën e automjeteve në tunelin Thirrë-Kalimash, vënë në dispozicion të qytetarëve. Tuneli në Thirrë, 5.6 kilometra i gjatë, ka qenë pjesa më e vështirë nga pikëpamja inxhinierike në të gjithë autostradën Rrëshen-Kalimash. Trafiku për automjetet në tunelin e Thirrës u ndërpre tetorin e kaluar për arsye sigurie dhe pritet të rihapet sërish brenda 2 muajve të ardhshëm. Për këtë arsye, Ministria e Transporteve dhe kompania Bechtel-Enka bënë një kontratë tjetër mes tyre për ndërhyrje të tjera. Tuneli i Thirrës është 5.6 km. Ai është më i gjati në rajon, me trafik bi-direksional në dy galeri dhe me një projekt e infrastrukturë të pajisjeve elektro-mekanike të standardeve të fundit bashkëkohore sipas direktivës evropiane të tuneleve të vitit 2004. Pak më herët, vetë kompania Bechtel-Enka njoftoi se autostrada Durrës-Kukës do të jetë funksionale brenda afateve të vendosura për ridizajnimin e tunelit Thirrë-Kalimash. Prej muajsh puna ka vazhduar paralelisht në të dyja tubat e tunelit, në 24 orë pa ndërprerje.
Përgjatë gjithë verës ka funksionuar vetëm galeria e veriut, e cila shërbeu më së miri për qindra-mijëra turistë nga Kosova që zgjodhën bregun e Shqipërisë të kalojnë pushimet e tyre. Pikërisht ana e veriut e galerisë u mbyll më 9 nëntor, për të kryer punimet e fundit elektromekanike. Pjesa më e rëndësishme e kësaj rruge, nga ana infrastrukturore, është segmenti Rrëshen-Kalimash, që cilësohet si një vepër unike në tipologjinë e autostradave malore, i ndërtuar në një gjatësi relativisht të shkurtër, vetëm 61 km, por që zhvillohet në një dinamikë impresionuese - mes 34 milionë m3 gërmimesh masive të skarpateve malore deri në 150 m lartësi, mes 29 urave me një gjatësi totale prej 4.5 km, me një lartësi maksimale deri në 90 m, mes 6 km muresh mbajtëse gjigante.