Rikonstruktohet shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë”, përfitojnë 300 nxënës

Janë ditë të nxehta vere por puna për rikonstruksion në shkollës 9-vjecare “Besëlidhja e Malësisë” në qytetin e Bajram Currit vijon pandërprerë. Inxhinieri i kompanisë që po zbaton këtë projekt të rëndësishëm të infrastrukturës shkollore “Skënder Qefalia”, thotë se po punohet në fasadën e shkollës dhe çatinë e saj, e cila po ndërtohet tërësisht e re, në funksion të shmangies së problemeve që rrjedhin nga kushte atmosferike.
“Për momentin po punojmë në shumë faza dhe tani po punojmë në sistemimin e fasadës, çatisë dhe riparime të vogla në sistemet elektrike dhe hidraulike”, u shpreh Inxhinieri.
Për sa u përket punimeve në ambientet brendshme të shkollës, duket se gjithçka po shkon sipas parashikimeve në kalendarin e punimeve. Qoftë në suvatimet e rifiniturat e klasave e korridoreve, instalimet elektrike e hidraulike, shtresat, dyer dritare, vendosjen e sistemit të ngrohjes etj.
“Dhe pak punime na kanë mbetur në pjesën e brendshme të objektit”, tha ai.
Me ecurinë e punimeve, inxhinieri Qefalia thotë se viti i ri mësimor 2025-2026, nxënësit do të nisin procesin në ambientet e ri konstruktuara të shkollës “Besëlidhja e Malësisë”.
Investimi në fjalë është njëri prej projekteve të infrastrukturës shkollore që ka përfituar bashkia e Tropojës, përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit.
“Është një fond prej rreth 66 milion lekë të reja”, theksoi Qefalia.
Shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” ne Tropoje eshte nder me te vjetrat ne zonën e veriut e themeluar ne vitin 1924, 101 vite me herët.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/