Mjekët duan ligj për monopatinat: Mbani larg fëmijët. Të aplikohet licensa për përdorimin e tyre

Ngjarja e një dite më parë (25 qershor), ku tre fëmijë u lënduan e ku njeri prej tyre ndodhet ende në gjendje të rëndë për jetën për shkak të traumës në kokë, ka sjellë reagimin e mjekëve të Spitalit të Traumës, të cilët kërkojnë vendosjen me ligj të rregullave në qarkullim për këto mjete vdekjeprurëse që po përdorën masivisht nga fëmijët.
“Ne si mjekë nuk është se jemi kundër përdorimit të patinave, por jemi kundër përdorimit të tyre nga fëmijët. Problemi më i madh i monopatinave është se nuk kanë elemente sigurie. Është një motor elektrik, le të themi, dhe ata që e përdorin nuk kanë asnjë element sigurie, siç janë kokoret, gjunjëzuesit apo mbrojtësit. Ndoshta ka ardhur momenti të propozohet një projektligj i mirë, që të rregullojë se kush mund ta përdorë dhe kush jo. Fëmijët, adoleshentët apo njerëzit të cilët akoma nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi, do të ishte mirë të shmangnin përdorimin. Personalisht do të isha për një minipatentë, që jo kushdo mund ta përdorë”, tha Ilir Hasmuça, ortoped në Spitalin e Traumës.
Çdo ditë në Spitalin e Traumës paraqiten të paktën dy-tre të aksidentuar me trauma të profileve të ndryshme.
“Ato 2 apo 3 herë në muaj që unë jam 24 orë në punë, më qëllon të shoh 2 ose tre raste në ditë. Traumat janë nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të rëndat, siç janë ato të kokës, frakturat e brinjëve, traumat me dëmtimin e organeve të brendshme deri tek politrauma, pra dëmtime multiorganore, jetëkërcënuese ose nëse i mbijeton traumës, patjetër që do jetë me pasoja afatgjata për të gjithë jetën“, tha mjeku.
Për shkak të aksidenteve të shumta, disa vende europiane i kanë nxjerrë nga qarkullimi këto mjete, ndërsa në disa të tjera janë vendosur kritere të ashpra për përdorim.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/