E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikonstruktohet spitali i Gjirokastrës, Koçiu: U shërben mbi 60 mijë banorëve dhe turistëve

Spitali Rajonal i Gjirokastrës “Omer Nishani”, po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, që pritet të sjellë një transformim rrënjësor në shërbimet shëndetësore të qytetit dhe gjithë qarkut.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ndau pamje nga punimet në terren, duke deklaruar se godina po “rilind nga themelet”.

Rikonstruksioni i godinës së spitalit do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve për mjekët dhe infermierët, si dhe do të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e shërbimit shëndetësor për mbi 60 mijë banorë të zonës së Gjirokastrës.

Projekti përfshin përmirësim të infrastrukturës, shtim të teknologjisë mjekësore dhe kushte më të mira për mjekët, infermierët dhe pacientët.

Godina historike prej 8,600 m² do të përfshijë të gjitha shërbimet kryesore mjekësore si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia dhe patologjitë.

Ministrja theksoi se ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimeve për komunitetin lokal dhe vizitorët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›