E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen gurskalitësit, restaurohen kalldrëmet e Beratit

Berat- Rikthehet tradita e gurit në qytetin e një mbi një dritareve. Pas një kohe të gjatë të lëna në harresë e të dëmtuara në mënyrë të konsiderueshme, rrugicat e kalldrëmta të qytetit të Beratit po i nënshtrohen restaurimit. Që prej disa ditësh punonjësit e Degës së Monumenteve të Kulturës janë vendosur në lagjet “10 korriku”, “Mangalem” e “Kala”, ku po punojnë për restaurimin e gurit të bardhë.

Burime nga Dega Rajonale e Monumenteve të Kulturës bënë të ditur se me një fond të akorduar nga kjo degë është bërë e mundur nisja nga puna për restaurimin e rrugicave të kalldrëmta, në lagjet më kryesore. Një fond i veçantë është akorduar për nisjen e punës në lagjen simbol të këtij qyteti, i cili do të bëjë të mundur ndryshimin e pamjes së rrugëve dhe rrugicave kryesore të këtij qyteti.

Specialistët e Monumenteve të Kulturës shprehen optimistë në lidhje me ecurinë e këtyre punimeve dhe bëjnë të ditur se do të eleminohen të gjithë gurët e vjetër, me ngjyrë të zezë dhe do të zëvendësohen me gurë të bardhë duke bërë dhe sistemimin e tyre në mënyrë të rregullt. Pjesë e projektit do të jenë edhe kanalizimet. Ngapuna e deritanishme është bërë e mundur restaurimi i lagjeve “10 korriku”, “Mangalem” e “Kala”, por në ditët në vijim do të mundësohet riparimi i të gjitha rrugicave problematike të kalldrëmta.

Për riparimin e këtyre rrugicave janë marrë specialistë dhe profesionistë të gurit për kryerjen në të gjitha parametrat e duhur të punës, ku për shtrimin e rrugicave kanë përdorur vetëm materialet e gurit, duke iu rikthyer traditës së qytetit 2400 vjeçar .

Gurskalitësit shprehen të kënaqur që së fundi kanë gjetur veten duke gdhendur edhe njëherë gurin, si dikur.

Gjendja e rrugicave gjatë viteve të fundit linte shumë për të dëshiruar, pasi në shumë pjesë gurët e rrugicave kishin lëvizur duke krijuar boshllëqe dhe kanalizimet kishin pësuar çarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›