Rikthehen kioskat e Kunatit tek pedonalja
Makete, zbukurime në bulevard dhe qofte tek Rruga e Kunatit. Duket se kjo do jetë qeverisja e Tiranës këto vitet kur kryebashkiak do jetë Lulzim Basha. Kioskat që ishin vendosur gjatë festave të dimrit në rrugën pedonale Murat Toptani kanë nisur të rivendosen në prag të festës së Ditës së Verës. Ndërkohë bulevardi po ashtu është zbukuruar me lule. Sërish këto zbukurime janë realizuar nga firma Iceberg Orange e miqve të Kunatit të Bashës, e cila bëri zbukurimet për Vitin e Ri dhe u kujdes për projektin e kioskave. Bashkia nuk ka zbardhur asnjë të dhënë për mënyrën se si është përzgjedhur kjo firmë për zbukurimet dhe cilat janë kostot.
Dita e Verës, një festë e përdorur më shumë politikisht nga Fatos Nano në Tiranë, u kthye në një festë kombëtare, po ashtu për qëllime politike. Ndërkohë që dellin e festave nuk e ka vetëm Basha, por edhe Berisha, që ka paralajmëruar një tjetër koncert më 22 mars. Vetëm pak ditë më parë kryetarja e Kuvendit realizoi një tjetër koncert të kushtueshëm për 8 Marsin.