Rikthehet Luani i hip-hopit

Reperi Luan Zeqiri, apo siç e njohin të gjithë Mad Lion, është duke punuar në këngët e reja, me të cilat do t’i rikthehet skenës muzikore shqiptare.
“Jam duke punuar në një album të ri në Zvicër me mikun tim Alba Gino dhe disa miq zviceran. Edhe producentin e kemi zviceran, Zede, beat-boxer që e ka marrë vendin e parë në Zvicër. Kam punuar shumë këngë, por akoma nuk kam publikuar asgjë. Do të rikthehem me një vidoeklip që do të realizohet në produksionet atje,” shprehet Luani për Indeksonline.
Ai ka bërë të ditur se me këtë album, ku këngët do të jenë shqip, me pak anglisht, synon shumë më shumë se tregun zviceran. Ai është regjistruar atje si artist dhe tani i ka të mbrojtura të drejtat e autorit, pasi këtu më herët e kanë keqpërdorur punën e tij :
“Dallimi është se atje respektohet ajo që bën, në Kosove jo aq shumë. Këtu e lanson një këngë, e leshojnë të gjitha radiot, ta keqperdorin dhe e shumëzojnë, ndërsa atje gjithçka është e evidentuar dhe korrekte. Kurrë nuk e di sa kam pasur shitje të albumeve, pasi asgjë nuk më është dhënë ndonjëhere me shifra. Ndonëse më është thenë se është shitur shumë, unë nuk kam marrë shifra, e as materialisht nuk kam përfituar ndonjëherë”.
Sipas tij, në Zvicër janë pak prapa me hip hop, pasi nuk punojnë shumë në këtë aspekt, duke mos pasur ndoshta kohë pasi i përkushtohen punës.
Duke folur për kushtet e mira që janë atje , Mad Lion ka konfirmuar se si kushte parësore për realizimin e hip hopit cilësor është studio dhe producenti i mirë.
“Në Kosovë çdo i dyti ka studio dhe po bën këngë. Tash janë bërë shumë e nuk po dihet ç’po ndodh”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk beson se të gjithë kanë për t’i mbijetuar kohës:
“Keshtu ka qenë edhe më herët, por shumë prej tyre janë tërhequr pasi duhet shumë punë , për të arritur pak. Shumica që i futen kësaj pune kanë ambicie të tilla si pak famë, apo femra.”
Pikerisht qasja që ai ka pasur ndaj repit, ka bërë që të jetë aktiv ndër vite, me të njejtin pasion:
“Unë nuk kam pasur të tilla ambicie, për të arritur ndonjë qëllim përmes repit, por e kam bërë sepse më flen në zemër. Kjo është edhe arsyeja pse unë nuk e kam lënë ,e as nuk do ta lë, derisa më le mua zëri”.
Reperi, i cili jeton në Zvicër me baskëshorten dhe vajzën e tyre Eliza, ka pranuar se me kalimin e viteve, ka ndryshuar edhe qasja e tij ndaj muzikës:
“Pas kalimit të viteve pjekesh artistikisht. Më herët unë kam kënduar me tekste të tjerëve . Tani u kushtoj rendësi të madhe teksteve pasi i shkruaj dhe korrigjoj vetë. Kapem për realitet dhe kur dëgjoj një instrumental, filloj të shkruaj nga jeta reale. Ka disa njerëz që më kanë kualifikuar se këndoj komike dhe kaq, por unë këndoj rep univerzal. Unë kam bërë edhe këngë komike dhe të zhanreve tjera të repit.
Shkuarja në Zvicër atë e ka distancuar nga publiku, por kjo për Mad Lion është në të mirën e tij:
“Më mirë rrallë e për mallë, se sa të bëhesh bajat. Sa herë jam shfaqur, kam ardhur me diçka më ndryshe. Nuk është shkëputje e gjatë, por mediat të shkëpusin, pasi unë nuk vrapoj pas tyre, për publicitet. Kjo nuk më pëlqen, pasi unë nuk jetoj për gjëra të tilla. Unë bëj këngë për vete dhe njerëzit që e duan artin tim. Nuk e bëj për karrierë , pasi e kam dëshmuar se di të bëj rep dhe hite, s’kam nevojë të dëshmojë diçka, por duhet të bëjë diçka, të lë diçka të mirë për brezat e ardhshëm. Shpresoj këngë më interesante se hitet e kaluara.”
Ai thekson se duhet bërë këngë që përcjellin një mesazh : “Reperat janë përqendruar tek femrat, ndonëse ka shumë mezashe që mund të japesh me anë të repit. I perdorin femrat si objekte, pa dhën` mesazhe të tilla “si qënia më e mirë’’ apo ngjashëm, por përgjithësisht tentojnë që t’i ulin femrat. Por duhet bërë diçka të tillë që fëmijët tonë kur të rriten të kenë diçka për të dëgjuar, gjeneratat që vijnë të dëgjojnë atë që ne kemi bërë.”
Ndonëse kultura rep shpesh herë keqkuptohet, Luani bën jetë shumë të rregullt, ndërsa nuk konsumon alkoholin, e as duhanin, duke e konsideruar se kjo është gjeja e duhur, bazuar edhe me besimin e tij fetar.
Duke folur rreth shumë këngëve rep në Kosovë, që temë boshte e kanë konsumimin e drogës, Luani thotë: “Kur kopjon nga dikush, merr edhe të metat e tij. Prandaj duhet qenë sa më real në këngë, pasi besoj që shqiptarët kanë shumë më tepër për të treguar se zezakët . Ne kemi kaluar nëpër shumëçka, kemi jetuar terrore të ndryshme dhe nuk nevojitet droga për te treguar diçka për vete. “
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai ka vërejtur një fenomen, që sipas tij ka shënuar rritje shqetësuese: “Po më pengon shumë te rinia marrja e drogës më të madhe . Një thënie që e mbaj mend nga shkolla është: “Njerëzit laik mendojnë se marrja e drogës është modë, e kjo është e gabuar plotësisht”. Ajo ditë ka ardhur sot, pasi droga po përdoret për punë të modes, por as vetë nuk e dijnë se për çfarë e përdorin. Gjëja më e keqe është se adoleshentët po e marrin nëpër shkolla fillore e të mesme. Në të ardhmen mund të ketë këngë me këtë temë”, ka përfunduar ai.
Luan Zeqiri aka Mad Lion, ka lindur në Prishtinë me 23 prill 1980, ndërsa karrierën muzikore e ka filluar në vitin 1996. /Indeksonline/