E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehet energjia elektrike pas ndërprerjeve masive në Spanjë dhe Portugali

Pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike që goditi Spanjën dhe Portugalinë, rikthimi i energjisë ka nisur gradualisht gjatë natës, por pasojat ende ndihen në shumë rajone, ndërsa autoritetet ruajnë gjendjen e jashtëzakonshme.

Qeveria spanjolle njoftoi se statusi i emergjencës do të mbetet në fuqi për aq kohë sa kërkohet nga autoritetet rajonale. Deri më tani, tre nga 17 rajonet autonome si Madridi, Andaluzia dhe Ekstremadura kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë qendrore për të garantuar rendin publik dhe për të koordinuar përpjekjet e rimëkëmbjes.

Ndërprerja e energjisë, e cila filloi papritur një ditë më parë, ka shkaktuar ndërprerje të qarkullimit urban, vonesa në transportin hekurudhor dhe kufizime në furnizimet bazë.

Shkaku zyrtar i ndërprerjes masive mbetet ende nën hetim edhe pse burime të brendshme përmendin mundësinë e një defekti në rrjetin ndërkombëtar të transmetimit elektrik.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, ndërsa situata pritet të stabilizohet brenda ditës nëse nuk ka komplikime të reja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›