Zgjedhjet në Kanada – Fiton Partia Liberale, Mark Carney: Kush është gati të mbrojë dhe ndërtojë Kanadanë?

Mark Carney, lideri i Partisë Liberale të Kanadasë, ka shpallur fitoren në zgjedhjet federale, duke u bërë kështu kryeministri i ardhshëm i vendit. Në fjalimin e tij të parë pas fitores, Carney u bëri thirrje kanadezëve për unitet dhe angazhim të fortë për të ndërtuar një Kanada më të fortë.
“Kam një pyetje, kush është gati të mbrojë Kanadanë me mua?”, pyeti Carney, duke u përshëndetur nga mbështetësit e tij. Ai theksoi rëndësinë e bashkimit për të përballuar sfidat që ka vendi, duke e quajtur këtë një moment vendimtar për të ardhmen e Kanadasë, sidomos në një periudhë të tensionuar ndërkombëtarisht, përfshirë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara lidhur me çështje ekonomike.
Carney falënderoi familjen e tij, duke i bërë një nder të veçantë gruas dhe fëmijëve për mbështetjen dhe frymëzimin që i japin çdo ditë. “Ata më frymëzojnë të shërbej çdo ditë”, tha Carney, duke shprehur mirënjohje për rolin e tyre në jetën e tij.
Carney gjithashtu theksoi se vendimi për t’u përfshirë në politikë ka ardhur nga bindja se Kanadaja ka nevojë për ndryshime të thella, të cilat mund të realizohen vetëm me një udhëheqje të bazuar në vlerat themelore kanadeze, vlera që ai i ka mësuar që në fëmijëri me familjen.
Fjalimi i tij u prit me entuziazëm nga mbështetësit dhe shënon një hap të rëndësishëm në politikën kanadeze, ku Carney tani do të kërkojë bashkëpunimin me partitë e tjera për të siguruar stabilitetin e qeverisjes.
/rtsh.al/