E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rikthehet fesivali “Verdi OFF”, regjisori italian, Mario Mascitelli sjell në versionin komik, operën “Aida”

Festivali “Verdi OFF”, i cili sjell ngjyra të ndryshme të kulturës italiane në kryeqytetin tonë, rikthehet për të dytin vit radhazi në Javën e Italisë. 

“Verdi Off” është një festival me të cilin feston i gjithë qyteti me mini shfaqjet që dhurohen nga artistë italianë në sheshet kryesore të qytetit. Kjo metodë është krijuar nga mjeshtrat e Teatrit Regio di Parma në Itali, për të krijuar dhe ndarë një atmosferë festive për këdo që rastësisht ka dalë në sheshet e qyeteve dhe vizitojnë papritur krijimet verdiane me rastin e Festival Verdi.

Mbrëmjen e së dielës, publiku kryeqytetas pati kënaqësinë të shijojë operën me 4 akte të Xhuzepe Verdit “Aida”, një vepër e cila sot zë një vend qendror në kanunin operistik, duke u shfaqur çdo vit në mbarë botën. Regjisori dhe aktori, Mario Mascitelli e sjell shfaqjen me një koncept të ri regjisorial, e cila përmban plot nota humori.

“Është një kënaqësi që kemi ardhur këtu, të shpresojmë që është fillimi i një bashkëpunimi në të ardhmen. Në javën italiane të kulturës këtu në Shqipëri, sjellim të gjitha ngjyrat, të bardhën, të kuqen dhe jeshilen, nëpërmjet koncerteve dhe spektakleve. Ne vijmë nga Teatri i qytetit të Parmës, në Itali dhe sjellim një “Aidë” të veçantë, në kuptimin që është një version komik i veprës, në mënyrë që t’ia bëjmë të njohur publikut historinë e shfaqur prej qindra vitesh, por në të njëjtën kohë t’i  bëjmë edhe pak për të qeshur”, tha Mascitelli.

Festivali “Verdi Off”  organizohet nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, në bashkëpunim me Teatrin Regio di Parma. Verdi Off është zbulimi dhe rizbulimi i Xhuzepe Verdit dhe veprave të tij nga këndvështrime të ndryshme dhe befasuese. Në nder të 210 vjetorit të lindjes së kompozitori të madh italian, Giuseppe Verdi, Viti 2023 është shpallur nga TKOB si viti Verdian, si një ndër kompozitorët më të njohur në historinë e operës botërore.  

/RTSH/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›