E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet festivali i këngës në RTSH

TIRANË- Edicioni i 49-të i Festivalit të këngës në Radio-Televizionin Shqiptar do të shfaqe mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve natën e parë, ku do të interpretohen 19 këngë, 3 prej të cilave janë nga kompeticioni i të rinjve.

Drejtori ekzekutiv i festivalit, Petrit Beci, është shprehur se ky do të jetë festivali i risive, pasi sipas tij, përvoja dhe koha është një element sinjifikativ që përcjell nevojën për risi.
“I kemi të gjitha mundësitë sot, që mbështetur në traditën, profesionalizmin e personaliteteve të shquara dhe këndvështrimin kontemporan, t’i japim festivalit një frymëmarrje më të madhe”, ka thënë ai.
Në këtë edicion janë përzgjedhur 32 këngë si dhe 6 këngë nga konkurimi i të rinjve, të cilat do të interpretohen nga artistë si: Kujtim Prodani, Marjeta Billo, Alban Skënderaj, Miriam Cani, Klajdi Musabelliu, Marsida Saraçi, Besa Kokëdhima, Aurela Gaçe, Françesk Radi, Kejsi Tola etj.
Këtë vit festivali do të drejtohet nga këngëtarja Jonida Maliqi, këngëtari operistik Josif Gjipali dhe aktorja Mirela Naska.
Juria e këtij festivali e përbërë nga: Edison Miso, David Tukiçi, Aleksandër Peçi, Manjola Nallbani, Robert Radoja, Artan Minarolli dhe Edmond Tullumani, do të përzgjedhi këngën fituese, e cila do të konkurojë në “Eurovizion”.
Ndërsa për konkurimin e të rinjve, juria me Gerta Hetën, Jerida Sakaj, Andi Islami, Evis Trebicka e Suada Braho, do të përzgjedhin nga 6 këngë, 2 prej të cilave do të konkurojnë në mënyrë të barabartë me artistët e tjerë për çmimin e parë të Festivalit të 49-të në RTSH.
Drejtor artistik i këtij festivali është Edmond Zhulali, regjisor Bojken Lako, skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj, ndërsa skenari është realizuar nga Iva Tiço.
Nata e dytë e festivalit do të shfaqet nesër për të vazhduar më pas me natën finale që do të shfaqet në datën 25 dhjetor.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›