E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet sërish konflikti për pronën tek Unaza e Re

TIRANE- Rikthehet sërish konflikti për pronën pranë “Unazës së re”. 7 gratë që kërcënuan me vetëvrasje në pallatin 10 katësh, tentuan sot në mëngjes të bllokojnë punimet e pallatit. Banorët kundërshtojnë vijimin e punimeve të pallatit, duke deklaruar se janë në proces gjyqësor me pronarin e tij. Mëngjesin e sotëm banorët janë konflikuar me policinë private, teksa kanë tentuar bllokimin e punimeve në kantier.

Sipas banorëve ndërtimi i pallatit nuk mund të vijojë deri sa të zgjidhet cështja e pronësisë që ata kanë me pronarin e pallatit Namik Pelivani. Sipas banorëve procesi gjyqësor po zvarritet, ndërsa ata disponojnë edhe një leje të Inspektoriatit të Lartë Ndërtimor, i cili bllokon punimet e pallatit për shkelje të procedurave. Muajin e kaluar 7 gra të këtij pallati kërcënuan se do të hidheshin nga kati i 10-të i tij, nëqoftëse nuk do të arrinin në nje zgjidhje me pronarin e pallatit. 

23 familje kanë nënshkruar një kontratë me pronarin e pallatit, Namik Pelivani për shembjen e shtëpive dhe kompensimin e truallit me sipërfaqe apartamenti. Mirëpo sipas banorëve marrëveshja nuk është respektuar nga pronari i pallatit, i cili nuk i është përmbajtur si duhet pikave të kontratës, sidomos për cështjen e kompensimit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›