E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet trafiku i klandestinëve. Zhduket në det gomonia me rreth 30 shqiptarë dhe kurdë

gomoneNga Lindita Çela

Një gomone, në bordin e së cilës mendohet se janë 30 persona, rezulton e zhdukur në det të hapur prej së hënës.

Alarmi SOS është dhënë në gjuhën shqipe, ndërkohë që dyshohet se njerëzit në bord kanë kombësi shqiptare dhe kurde.

Ndërsa kërkimet vazhdojnë në det të hapur, mësohet se gomonia është nisur nga brigjet e Vlorës, ndërkohë që zyrtarisht policia shqiptare nuk ka dhënë asnjë njoftim mbi ngjarjen që rikthen në det trafikun e qenieve njerëzore në brigjet mes Shqipërisë dhe  Italisë.

 

Alarmi SOS

Po rrezikojmë të mbytemi. Na ndihmoni. Kam njerëz në bord.

Kjo ka qenë thirrja alarmante e një prej personave në bordin e gomones natën e së hënës, thirrje kjo që ka vënë në lëvizje autoritetet italiane për nisjen e operacioneve të kërkim- shpëtimit.

Mësohet se kërkesa për ndihmë mbërriti në kanalin e radios ndërkombëtare për emergjencat VHF pas orës 23:00. Në këto momente gomonia ndodhej afër brigjeve të Pulias.

Por nga kjo thirrje ka qenë thuajse e pamundur për të përcaktuar pikën ekzakte të vendndodhjes së gomones, pasi vetë personi që bëri raportimin nuk e ka pasur të qartë se ku ndodhej.

Mësohet se personi që ka kërkuar ndihmë ka thënë se ka pësuar avari në motorin e gomones dhe se po përmbytej nga uji.

Sipas raportimeve të kapitenerisë italiane, vetëm 20 minuta pas sinjalit të parë, ka pasur një thirrje të dytë nga po i njëjti person në radio.

Në këtë komunikim të dytë thuhej se gomonia ishte nisur nga brigjet e Shqipërisë, por gjatë rrugës kishte pësuar një defekt në motor, duke mbetur në det të hapur. Ky ka qenë sinjali i fundit nga gomonia.

Kërkimet

Operacioni i kërkim- shpëtimit për gomonen, në bordin e së cilës mendohet se janë 30 persona, ka nisur që në orët e vona të së hënës për të vazhduar gjatë gjithë paradites së martë.

Nga pala italiane janë vënë në dispozicion 4 anije dhe një helikopter, të cilat po vijojnë kërkimet në gjithë vijën bregdetare të Pulias.

Ndërsa nga pala shqiptare është angazhuar një anije dhe një helikopter i forcave britanike.

Në një prononcim për mediat, koordinatori i operacionit të kërkimit, Kreshnik Seitaj, ka deklaruar se nëpërmjet një faksi nga Roma është vënë në dijeni se personat në bordin e gomones kanë kombësi kurde.

Sipas tij, drejtuesi i gomones është një shqiptar, i cili ka qenë i pari që ka lëshuar sinjalin SOS.

Ndërsa Shefqet Bruka, drejtor i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale në Durrës, ka pohuar se në drejtimin e gomones është një shtetas shqiptar.

Ka thirrje nga një person në gjuhën shqipe që institucionet ligj-zbatuese e kanë regjistruar që kërkon ndihmë për shkak të dëmtimit të gomones dhe futjes së ujit. Fatkeqësish nuk është lokalizuar thirrja. Personi nuk thotë ku ndodhet vetëm thotë se ka klandestinë shqiptarë dhe kurdë, tha Bruka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›