ILDKP: Pasuria e Nishanit OK, ska konflikt interesi
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka dhënë prononcimin e parë rreth pasurisë së Presidentit të Republikës Bujar Nishani.
Duke marrë shkas nga deklarimet publike të deputetit të Partisë Socialiste Erjon Braçe, ky institucion deklaron se ka funksionuar dhe funksionon në mënyrën më korrekte, të plotë, transparente dhe në zbatim të ligjit dhe vetëm ligjit.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Nishani, si subjekt deklarimi i interesave private, ka rezultuar pa probleme dhe jo në konflikt interesi, konfirmon ILDKP.
Për disa ditë me radhë, deputetët e Partisë Socialiste Erjon Braçe dhe Pirro Lutaj, ashtu sikurse mediat e shkruara dhe vizive ngritën pikëpyetje në lidhje me pronësinë e tokës në të cilën ndodhet aktualisht selia e vjetër e Partisë Demokratike.
Media raportoi ditë më parë se familja e Presidentit ka interesa të drejtpërdrejta ekonomike, pronësore në atë godinë që duhet të mbesë bosh sa më parë. Nëse kjo provohet, atëherë, Presidenti Bujar Nishani duhet vënë nën hetim përmes një procesi parlamentar për korrupsion. Nëse provohet, krimi i tij është shumë i rëndë dhe kjo histori duhet të hetohet me çdo kusht, u shpreh Braçe më 15 gusht përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Zonja e Parë Odeta Nishani, e përfolur si pjesë e pronësisë së kësaj toke, në një intervistë për Gazeta Shqiptare garantoi se nuk ka asnjë interes pronësor në godinën aktuale të Partisë Demokratike dhe u shpreh e gatshme për hetime./illyriapress.com