E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i PD-së tek ëndrrat e fillimit

Robert Qafzezi / Artist

Le t’i urojmë Edi Ramës erë të mbarë për ta çuar  të saktë “anijen” që është nisur prej 23 vitesh drejt  horizonteve demokratike evropiane. Çdo shqiptari që i dhimbset vendi duhet ta kuptojë që sa  mund e djersë do t’i duhet kësaj qeverie që ta  vërë në shina “lokomotivën”, këtë “mekanizëm”  të fuqishëm që quhet shtet ligjor e që do t’i tërheqë të gjithë “vagonët” si ekonomia, drejtësia,  kultura, drejt Evropës.

Është momenti kyç, tepër vendimtar që shqiptarët, duhet të gjejnë e të nxjerrin në sipër-faqe energjitë më pozitive e me vlerë, është me  të vërtetë momenti i kthesës së madhe për të  hedhur një herë e përgjithmonë poshtë amatorizmin në të gjitha format e tij. 

Nuk ka më kohë..!  Populli u lodh, u çorientua, u varfërua deri në palcë nga ky tranzicion “obskyr”, i tejgjatë, ku papunësia e rinisë është kampione në rajon, ku jeta  e njeriut nuk ka asnjë vlerë, ku vrasja me armë  zjarri është bërë si vdekje natyrale, ku të qenit  i ndershëm quhet naiv e i paaftë, ku injoranca  më e thellë e vendit udhëheq të gjithë sektorët  kryesorë si drejtësia, prokuroria, policia, ekonomia, kultura, diplomacia etj.. Nuk ka më kohë  për buzëqeshje, fotografi të bukura plot ngjyra  fushate, fjalë të ëmbla përpara medias. 

Nuk ka  më kohë për fishekzjarrë...Punë,  Program, veprim urgjence! Ven-di është për urgjencë sot, arka  dhe banka shtetit e kamufluar  nën presionin qeveritar është  “bosh” , “gropa” që po lë kjo  qeveri e korruptuar deri në palcë është gjigante, e mbuluar me  “gjethe dafinash” dhe “shirita inaugurimesh”. Sot do të duhet  kurajë e madhe t’i thuash popullit  tënd të vërtetën ku ndodhet; ekonomia që nuk prodhon asgjë përveç sloganeve.  

Qendra e programit të qeverisë së re duhet të  jetë lufta kundër varfërisë e mizerjes dhe vendos-ja e drejtësisë sociale, pa të cilën nuk ka liri. Nuk  ka liri në varfëri, akoma flenë njerëz përjashta të  uritur, në këmbë e shtrirë nëpër trotuaret e Tiranës, apo inxhinierë, ekonomistë me shkolla e  aftësi, shesin të ulur në gjunjë paketa cigaresh  ditën, natën, për të jetuar. 

Apo fëmijë që kanë  humbur çdo gjë e bredhin të pangrënë nëpër  rrugët e kryeqytetit; këta janë  të “padukshmit” si për politikanët “e senjorit demokrat” po  ashtu edhe për shoqërinë civile të damllosur nga sloganet  e bojatisura ndryshe. Të bllokohen të gjitha kontot e ish-qeveritarëve të korruptuar! Të  konfiskohen të gjitha bizneset e  paligjshme kudo dhe nga kush-do qofshin ato.

Vetëm në këtë  mënyrë mund të fillojë të dalë  vendi nga këto “skenarë” të erret si ato të filmave të  regjisorit Damiano Damiani të Italisë së viteve ‘70.  Po të shkruaj unë Edi! Trishtimi, kjo këngë e heshtur  e natës së mërgimit, që do të mbetem gjithë jetën  në opozitë me çdo forcë politike deri sa drejtësia  e vendit tim të vihet aty ku duhet. 

Më në fund, BOLL! Më në fund populli u zgjua. le të jetë ky zgjim, zgjimi i ëndrrave të mëdha, atyre më madhështoreve,  ku prin dashuria, mirëbesimi, gëzimi për një shoqëri  më të drejtë, larg babëzitjeve, larg nepotizmave,  etjeve për pozitë, mburrjeve të kota, apo fabrikimit  e inflacionit të antivlerave, euforive e ndriçimeve  “bastarde”.

 Ne duam që Shqipëria të futet në Evropë, në familjen e saj natyrale, por në asnjë mënyrë  ne nuk duam që ajo të futet në gjunjë. PD-ja, Partia Demokratike, partia e lotëve dhe dhimbjes sonë nuk ka humbur sot; ajo ka fituar, ajo duhet të  distancohet sa më parë nga ata “liderë” “te gripit  “ të vjetër komunist që e tërhoqën zvarrë ëndrrën  tonë të demokracisë dhe mbretëruan duke shkelur  mbi ëndrrën tonë. Ajo duhet të riorganizohet mbi  një bazë të vërtetë të vlerave të së djathtës evropiane dhe jo të gënjehet nga “liderë” “travestitë”. 

Fatkeqësisht gënjeshtra vazhdoi shumë gjatë nën  euforitë e vjetra që na kujtojnë kohëra të zymta për  ne që i jetuam. Nuk ka demokraci pa një opozitë të  vërtetë! Mjerë ata që nuk kanë ëndrra!  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›