Edi Rama nuk ka staturën e një shtetari
Në faqet 51-52 të librit të parë, Edi Rama ishte në dalje të aventurave të tij të bujshme dhe në kërkim të dëshirës për të qenë në rol të politikanit ambicioz. E filloi me mësymjen kundër diktatorit E. Hoxha, kundër Partisë së Punës që polli PS-në, kundër intelektualëve që himnizojnë “Hyun”- siç e quan ai, me ironi. Le ta riprodhojmë, në faqet që cituam: “Mbi të gjithë neve na rëndon kulti i pagabueshmërisë të Enver Hoxhës. Ka ardhur koha që figura e ish-udhëheqësit të shqiptarëve të rishikohet (…) Nuk mjafton një pardon i lehtë. Lëvizja demokratike duhet të shohë me skepticizëm ata intelektualë që renden të himnizojnë Hyun komunist në art-kulturë… Heqja e Stalinit në mes të natës është procedurë e marrë nga Testamenti i Hiporkrizisë kineze”. Mund të citojmë pjesë të tjera më ekstremiste, ndaj veteranëve që duheshin varur në litar, ndaj partisë së Punës (që u shndërrua në Parti Socialiste) që duhej nxjerrë jashtë ligjit, gjersa ua pruri në majë të hundës disa enveristëve që s’po e duronin dot më. Me qenë se libri ku shkruhen këto çudira u bë për ndjesë nga vetë autori, le ta bëjmë të njohur për publikun, duke riprodhuar, në f. 124 të tij: “ULTIMATUM” - Zoti Edi Rama! Ju njoftojmë se Organizata “Dragojt e Kuq”, me qendër në Smokthin të Vlorës, ju paralajmëron se në qoftë se vazhdoni të kërkoni që të shikohet figura e Enver Hoxhës atëhere organizata jonë do tu dënoj me vdekje pa të paralajmëruar më! Organizata jon e krijuar në Smokthinë të Vlorës është e destinuar të mbrojë me çdo çmim emrin dhe veprën e themeluesit të Shqipërisë së re të Enver Hoxhës. Organizata jonë si fillim ka në gjirin e saj 2011 veta. 20 % e saj ndodhen në Tiranë. Ne përdorim metoda bashkëkohore si: aksident automobilistik, thika, leva prapa koke, verbim me hcl, cianur potasi, Revolver Beret, ose rrëmbim fëmije, gruaje etj. Zoti Edi, pasi ta lexoni ultimatumin mos guxoni ta hapni gojën sepse pas pak ditësh do të vdisni.
Me nderime Organizata
“Dragojt e Kuq Smokthin”.
Viti 908/Kur lindi trimi me fletë”/Tani, në aktin e dytë të kësaj pjese teatrore për të zbavitur të ngeshmit që duan të zbaviten me ekstravagancat e një njeriu të çakërdisur me aventurat politike për të kaluar nga një pol në tjetrin e universit, e shohim në Pezë për glorifikimin e Enver Hoxhës (çdo 16 shtator) jo vetëm me veteranë enveristë me flamuj me drapër e çekan, me portrete të panumërueshme të Enverit, të stolisura në kornizë me dafinë e me trëndafila, por edhe me të mitura të përgojuara se drogoheshin, në orgjitë gjer në të gdhirë. Dhe tashmë akuzon drejtorët e shkollave se sjellin nxënëset në mitingjet e Koalicionit të djathtë, kur nuk gjendet asnjë provë se ato venë në këto mitingje të detyruara...
Tani, për të festuar fitoren, kur ende nuk ka mbaruar numërimi i votave, na sjell në Tiranë që të mbajë fjalime Ajala, në emër të të tri partive që i kanë mbetur Internacionales Socialiste. E treta është PS-ja e Venizellosit grek. E kemi thënë edhe njëherë tjetër se vetëm tri parti nga të majtat europiane në BE, janë mënjanuar nga partitë e tjera të së majtës së komunitetit Europian, që nuk e durojnë emrin e Internacionales, për shkak të konotacionit të saj me majtizmin diktatorial, që emërtohen Partitë e të Majtave të Progresit. Në këtë treshe dy janë kryetarë të hershëm të zgjedhur, ndërsa i treti, E. Rama, është i kooptuar, domethënë i emëruar si nënkryetar nga dy të tjerët, si përfaqësuesi i PS-së shqiptare.
Edvini është njeriu i skandaleve. Dihet ajo katrahura e Vjenës me diplomatin Egin Ceka i cili, me mirësjellje, nuk iu kundërvu kur E. Rama poshtëroi vendin e vet në një tubim; dhe vetëm në mbarim të mbledhjes, në të dalë, ia tha me delikatesë, se në mbledhje të tilla nuk shkonte ai lloj të foluri me të pranishëm të huaj. Dihet edhe sesi i ekzaltuari Edi vuri dorë në replikuesin dhe sesi propagandistët lakenj bënë fajtor të provokuarin dhe jo provokuesin! Një skandal tjetër është ai i fotos, që të fotografohej me presidentin Obama, për t’u ngrefosur si pallua, duke i dhënë dorën presidentit amerikan. Por një ekscentrik si Edi nuk mund të dalë kurdoherë i palagur nga trillet e tij të papërmbajtura. Kështu, është hapur një anketim në SHBA se në ç’mënyrë u fut Edi, që nuk ishte në listën e të ftuarve.
Por, siç thuhet, vjen një kohë kur shtrëngohet litari. I. Meta nuk e ka përgënjeshtruar kurrë atë që një kandidat për deputet i LSI-së, kishte thënë se kryetari i kësaj partie, Meta, ishte kandidat për kryeministër, në rast të një fitoreje. Meta kishte thënë vetëm se, në një rast të tillë, E. Rama do të mbante njërin prej të dy posteve: Ose kryeministër, ose kryetar partie...
Por ajo që u tha para përfundimit të zgjedhjeve ishte një pjesëmarrje në një stacion televiziv, në të cilin kryetari i LSI-së po u shpjegonte gazetarëve për atë videon e fshehtë Prifti-Meta të ndarjes së pareve, të regjistruar në mënyrë të fshehtë nga Prifti. Njëri prej videot doli në ekran për herë të parë. Aty kryetari i LSI-së, u tha të pranishmëve: - “I shihni ato titrat në fund? Ato i ka vënë Edi Rama, në mënyrë të pabesë. Ai është falsifikator. Tha edhe disa fjalë të tjera të rënda kundër E. Ramës, - por po e mbyllim këtu. Ajo që mund të themi, në përfundim, është një koment fare i thjeshtë. Merret me mend sesi do të vejë puna më tej, kur të dy përfaqësuesit kryesorë të koalicionit të majtë, nuk e durojnë dot njëri-tjetrin. Nga të gjitha petullat me ujë që ka premtuar E Rama, të shohim sesi do të kurohen e do t’i bëjnë operacionet pa pagesë pacientët tanë nëpër spitalet tona!