E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i traditës – Rritet kërkesa për veshjet popullore në Përmet

Veshjet tradicionale po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në zonën e Përmetit. Artizania Anila Koto tregon se është rritur jo vetëm kërkesa për kostumet karakteristike të jugut, por edhe për ato të zonave të veriut. Ajo është angazhuar në qepjen e rreth 60 veshjeve të reja tradicionale.

“Si pritshmëritë edhe kërkesa ishte vërtet shumë e lartë, u munduam të plotësonim kërkesat”, u shpreh Koto.

Në gëzimet familjare, aktivitetet kulturore, por edhe emigrantët dhe të huajt, duan t’i veshin këto kostume, qoftë edhe vetëm për një fotografi.

“Fëmijët i duan, dhe në fund të janë ata që do të transmetojnë traditën ndër breza”, tha ajo.

Kostumet popullore janë një element i rëndësishëm identiteti dhe janë qepur me finesë nga duarartat brez pas brezi. Vitet e fundit këto veshje po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, teksa shumë artizane po përpiqen të japin maksimumin për të ruajtur këtë traditë dhe pasuri të rrallë.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›