Rikthimi legjitim i Berish
• Blendi KajsiuIdeja e një pazari mes Nanos dhe Berishës për kthimin e këtij të fundit në pushtet, duket se po rishfaqet ...në analizën politike (shiko Andrea Stefani, gazeta “Shqip” 28 Janar). Kjo është një tezë e vjetër që lindi, së pari, në kampin socialist menjëherë pas zgjedhjeve të 2005. Pjesërisht ajo u përforcua nga bashkëpunimi Nano – Berisha para zgjedhjeve të 2007 dhe më vonë me zgjedhjen e Bamir Topit President. Ndoshta sot ajo rihidhet në treg si pasojë e varfërisë së ngjarjeve politike që shkaktojnë ankth tek ne analistët. Por, pavarësisht arsyeve, apo “fakteve”, kjo tezë është sa e gabuar aq edhe e rrezikshme.Është e gabuar, sepse ajo buron nga projektimi i të tashmes tek e kaluara. Është një tezë tipike e determinizmit historik që i shikon aktorët dhe faktorët politik si homogjen, të ngurtë dhe jashtë kontekstit. Me fjalë të tjera, Berisha i sotëm është i njëjtë me Berishën e 2005 apo me Berishën e 1992. Është e njëjta analizë që bëhet për komunizmin, që trajtohet si një faktor homogjen për 50 vite me radhë, duke e shpjeguar gjithçka me një esencë të pandryshueshme të liderit Enver Hoxha. Kjo eliminon tërësisht kontekstin shoqëror dhe kompleksitetin e ngjarjeve, duke e kthyer historinë në një konspiracion që zbardhet gradualisht me kalimin e kohës. Jo rastësisht gazetat tona janë të mbushura me thashethemet e nomenklaturës, të tipit “ç’i tha Kadriu Ramizit që t’i thoshte Nexhmies për djalin e Llambit që donte vajzën e Hysenit”.Në rastin konkret, teza e një pazari Nano – Berisha buron nga ideja e gabuar se, meqenëse Berisha sot është “ilegjitim”, kështu duhet të ishte edhe dje kur erdhi në pushtet. Prandaj ardhja në pushtet e PD-së nuk mund të shpjegohet me votën popullore, e cila jo më larg se 2007 e penalizoi PD-në. Kështu eliminohet tërësisht një fakt themelor politik; ardhja në pushtet e PD-së në vitin 2005 ishte tërësisht legjitime dhe me një votë të qartë popullore. Edhe për faktin e thjeshtë se PD-ja e 2005 ishte shumë e ndryshme nga ajo e sotmja. Berisha ishte vetëm një nga elementët e ofertës politike të 2005. KOP-i, të rikthyerit, shoqëria civile, figura të profilit të lartë politik, si dhe një sërë politikash konkrete për një qeverisje të djathtë ishin më se të mjaftueshme për të fituar mbështetjen popullore përballë degradimit të pushtetit socialist. Fakti që këta faktorë janë tretur sot, nuk do të thotë se nuk ekzistonin dje. Natyrisht PS-ja e 2005-ës pretendonte se kish marrë më shumë vota se PD-ja. Por ky pretendim thërrmohej përpara fitores së PD-së në kryeqendrat e Shqipërisë, si Tirana dhe Durrësi. Aq më tepër që ishte një pretendim që bazohej te votat e marra në zonat e thella rurale, ku zgjedhjet janë ende formalitet. Në të njëjtën mënyrë u thërrmua pretendimi i PD-së për fitoren e zgjedhjeve lokale të 2007 përballë humbjes në kryeqytet dhe qendrat kryesore urbane. Edhe ky ishte një pretendim që bazohej te vota e zonave rurale që janë hambar votash për çdo parti në pushtet. Është e vërtetë se fitorja e PD-së në 2005 i dedikohet edhe LSI-së. Por është po ashtu e vërtetë se edhe sikur koalicioni PS – LSI t’i kish fituar zgjedhjet, qeverisja midis Nanos dhe Metës pas 2005-ës do ishte po aq e pamundur sa përpara këtij viti. Pa marrë parasysh faktin që në një pjesë të mirë vota për LSI buroi nga distancimi i saj, si nga Nano, ashtu edhe nga Berisha. Pra, pas mungesës së bashkëpunimit PS – LSI nuk ka asnjë konspiracion, por thjesht një realitet logjik politik. Për pasojë, PD-ja me rezultatin e zgjedhjeve të 2005-ës ishte alternativa e vetme dhe më legjitime qeverisëse. Në momentin e marrjes së pushtetit në 2005, Kryeministri Berisha ka qenë një nga kryeministrat më legjitim të tranzicionit post-komunist. Një legjitimitet politik që mund të tejkalohet vetëm nga Presidenti Berisha në 1992. Dhe kjo për faktin se gjatë tetë viteve, Partia Socialiste nuk e mbajti pushtetin me zgjedhje të lira dhe të ndershme, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Natyrisht, cilësisht zgjedhjet e organizuara nga socialistët ishin më të mira sesa masakra elektorale e PD-së në vitin 1996, por kjo nuk i bënte ato të lira dhe të ndershme. Madje, as zgjedhjet e vitit 2005 nuk mund të cilësoheshin të tilla, legjitimiteti i tyre buroi nga fitorja e opozitës më shumë sesa nga vullneti i qeverisë. Përballë një pushteti socialist që kish degraduar në klane pranë ish-kryeministrit Nano dhe që pasurohej dhe bëhej gjithnjë e më arrogant përballë një shoqërie në stanjacion, oferta politike e PD-së korri një fitore elektorale legjitime.Sot ky legjitimitet është konsumuar dukshëm. Oferta politike e PD-së është rrudhur thjesht te kryeministri aktual, besueshmëria e të cilit ka rënë si kurrë më parë edhe për shkak të bashkëpunimit me ish-padrinot. Zgjedhjet lokale të 2007 ishin një dëshmi e qartë e këtij fenomeni. Por fakti se Berisha ka shumë pak legjitimitet sot, nuk do të thotë se ai nuk ishte legjitim dje. Aq më pak mund të shpjegohet rikthim i tij si pasojë e një pazari me Nanon, edhe sikur ky pazar të ketë ndodhur realisht. Një logjikë e tillë thjesht riprodhon atë që sulmon; gjithpushtetshmërinë e një aktori të vetëm politik. A thua se të gjitha zhvillimet politike në Shqipëri mund të shpjegohen nga një pazar mes dy individësh. Është e drejtë legjitime e çdokujt ta kritikojë, sulmojë apo edhe urrejë Kryeministrin Berisha. Antiberishizmi është një zgjedhje personale, por një qasje e rrezikshme në analizën publike. Ai e redukton të gjithë problematikën politike shqiptare te personaliteti “i zi” i një individi, duke anashkaluar të metat e sistemit tonë politik, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Berisha nuk mund dhe nuk duhej të largohej nga skena politike shqiptare në mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për tetë vite me radhë, socialistët luanin me zgjedhjet pikërisht nëpërmjet antiberishizmit. Për tetë vite me radhë shqiptarët nuk regjistroheshin, nuk pajiseshin me karta identiteti, sepse përballë kishin rrezikun Berisha. Në vitin 2005, PS-ja humbi jo sepse bëri zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sepse iu dogj karta anti-Berishë, ndonëse e përdori me mjaft zell. Riciklimi i figurave si Berisha, që për disa është shokues duhet kërkuar tek një sistem politik që në mungesë të një procesi të rregullt zgjedhor frenon rigjenerimin e elitës politike apo futjen në treg të aktorëve të rinj. Por që një sistem i tillë të instalohet në vend të anatemizimit të politikanëve konkret duhet insistuar për të njëjtat standarde pavarësisht se kush është në opozitë apo pushtet. Duhen kërkuar kartat e identitetit, regjistrimi i popullatës, përmbushja e kërkesave të opozitës, bojkotimi i zgjedhjeve të manipuluara, si sot, dje ashtu edhe nesër. Përndryshe do detyrohemi që zhvillimet politike t’i lexojmë gjithnjë e më tepër tek teoritë konspirative dhe gjithnjë e më pak tek vota e elektoratit. Dhe këtu qëndron rrezikshmëria e qasjeve konspirative. Ato janë analiza që bazohen tek thashethemet, prapaskenat dhe që fatkeqësisht i riprodhojnë ato, duke injoruar atë që ndodh në dritën e diellit.