SYT E ZINJ
• Edison YpiPo shëtis i shkujdesur ku Rruga Utopia i afrohet Sheshit Asgjëja. Muzg. Po mendoj për Syt’ e zinj Për atë Dritë që më verbon, atë verbim që më huton, atë hutim që më tërbon. Papritmas përplasem në errësirë me një shtyllë. Prek kokën te vendi i goditjes dhe shoh shtyllën. Nuk është shtyllë ! Është fije floku ! Dhe përreth nuk ka, as rrugë, as shesh, as shtylla të tjera, por vetëm fije floku. Perëndia pra deshi, Perëndia pra më hodhi, në mes të pyllit të flokëve të tu. Ti po ikën diku dhe un’ hapat t’i ndjej. Tani Syt’ e zinj i kam afër. Ja atje tej, nën aeroportin e ballit, nja një orë më këmbë prej këtu. O Sy të Zinj! Pse fryma më merret, pse zemra më rreh, pse këmbët më dridhen, pse gjunjët më shkrihen ?! Do t’iu këqyr nga afër ! Jo tani ! Tani do bëj një shëtitje të qetësohem pak. Ku ?! Si dilet nga ky pyll ?! Përmes atij shtegut në mesin e flokëve ?! Jo ! Ti s’ke shteg në mes të flokëve. Sepse Ti nuk krihesh. Ti nuk kujdesesh. Ty të kreh Hëna. Ty të ndrit Dielli. Ty të lan Qielli. Po dal ta nxjerr pak kokën tek tamthat. Prej këtu, prej tamthave të Tu pra, më qartë se prej kurrkund tjetër, shoh disa nga kryeveprat e Krijuesit; lakimet tronditëse të ballit, harqet e pafundme të hundës, zgavrën e mistershme të syrit, humnerën e frikshme të mjekrës, gjeometrinë e magjishme të buzëve, kinematikën e nofullave, algjebrën e vështrimit, sfericitetin erogjen të gjirit, etj., etj. Pra atë pjesë të mahnitshme të relievit që është mëse e mjaftueshme për të zbuluar në çast sekretet më të thella të Universit; përsosmërinë e papërsosmërisë, kuadratikën e rrethit apo misterin e numrit Ë, gjithçka që bën shkrimtarët të deprimohen, poetët të vetëvriten, piktorët të vetëgjymtohen, inxhinierët t’i imitojnë këto forma në krahë avionësh, matematikanët të kërrusen gjithë jetën mbi numra, gjenetistët mbi mikroskopa, gjeografët mbi harta, ushtarakët mbi topa, mbretërit mbi gijotina, diktatorët mbi intriga dhe urdhra, politikanët mbi ligje, astrologët mbi yje. Me kujdes duke u mbajtur nga fija në fije, po zbres teposhtë drejt veshit. Për t’u hedhur tek veshi duhet një kërcim i kontrolluar. Hop ! Pa të kolovitem pak tek ky rrethi lozonjar i vëthit zingarellian. Ah më duket se e ndjeve lëkundjen ! Jo ! Epo mirë. Kujdes ! Mos e fut gishtin të kruash veshin se më dërrmon mua ! Ej vesh, nuk kam ardhur këtu të hy te ty të dal nga tjetri si ti. Mua këtu Perëndia nuk më ka sjellë për ty, por për të eksploruar nga afër ata atje lart, të zinjtë e zjarrtë. Ja vena e qafës që me gjak ta ushqen trurin e mendimeve ! Do bëj një eksperiment ! Do të bëj një kopje të dytë ! Do ta çaj me dhëmbë venën. Do t’a thith të gjithë gjakun si vampir. Do të të thaj, do të të pietrifikoj. Ashtu të mermertë do të vendos në mes të një fontane, në një shesh të famshëm në Firence. Dhe atje, mes sysh të hutuar turistësh, atje të rrish me shekuj ! Kopjes së mermertë do t’i bëj një “save as”. Por do të bëj edhe një kopje të tretë ! Një statuetë të vogël. Si dëshmi ! Që kur qytetërimit t’i vijë fundi, dëshmia se në këtë botë ka pasur njerëz të bukur, të jesh Ti ! Tani do iki te buzët ! Sa bukur ky ballkon bukurie ! Kjo fontanë endorfine ! Ky vullkan erogjeniteti ! Që komplimenton dhe kërcënon, ndez dhe qetëson, puth dhe përbuz ! Por duhet bërë kujdes ! Se aty afër ke dhëmbët ! Dhe pak më lart ke hundën që teshtin ! Mund të nxjerrësh edhe gjuhën dhe të më përlash brenda, ose të më flakësh jashtë larg drejt e tek, si i thoshin, e Pamundësisë dhe e Hiçit. Jam që jam, pa të ta bëj një shëtitje rreth Qafës ! Ja zinxhiri i artë i gjerdanit të skllavërisë së Qafës së Pasionit ! Qafa dhe zinxhirët të tutë, skllavëria imja ! Nejse, këtu te qafa jote mund të thyej qafën time. Sepse rrafshnaltat e qafës së pasionit tënd janë të lëvizshme dhe të rrëshqitshme si dunat e rërës së trishtimit tim. Përsëri fshehur në pyllin e zi. Duhet bërë kujdes se ecja ime reflektive mund të shkaktojë kruajtje të kokës tënde dhe vjen e më zgërlaq me thua. Pas pak do flesh. Po mendohesh dhe të zinjtë po i kapsallit. Tani i ke më të ndritshëm dhe më të mahnitshëm se kurrë. Jam i fshehur dhe s’i shoh dot ! Por nga errësira e pyllit mund t’u flas: O të zinj të bukur, komplimentet e Dantes Beartiçes janë kurrgjë para atyre që unë mund të thur për ju ! Sytë e shqyer të frikësuar të Kamikazit kur shkel butonin nuk e kanë kurrë zjarrin tuaj trimëror. Drita gjeniale profesionale në sytë e piktorit që sapo mbaroi zbukurimin e kupolës së Kishës, ndaj dritës tuaj qiellore është errësirë bodrumi. Sytë e zmadhuar të të eturit të humbur në shkretëtirë kur sheh një oaz është një bosh ranor. O të zinj të zjarrtë; po të kisha dy jeta do t’u desha më pak ! Por kam vetëm një dhe j’u dua pafund ! Pa ju o t’zinj, unë i ziu jam hark pa shigjetë, predhë pa barut, top pa gjilpërë, bibliotekë pa libra, ujë pa det, hidrocentral pa turbinë, turbinë pa dritë. Pas pak, po s’ju pashë Ju, të mitë do t’i kërrej me dorën time me një gozhdë të trashë të ndryshkur të skuqur në prush kovaçi. Se s’do më duhen më. S’do më interesojë të shoh më asgjë. Po zbres me kujdes përmes shkurreve të harkut të vetullës. Me dy duart kapur te dy qerpikë jam varur ! O i zi, mëshiromë, falmë, mos më lësho, mos më verbo, mos më digj, mos më shkri, lërmë varur këtu gjithë jetën të rri ! Dua disa përgjigje nga Ty ! Si është më mirë të ekzistosh, njeri’ me mendje, me gojë, me zemër, me shpirt, dhe të jetosh disa dhjetëra vite, apo mal i madh e i lartë, madhështor i pagojë, dhe të jetosh miliona a miliarda vite ! A s’më thua, çfarë ka, çfarë ndodh n’atë distancën, nga i madhi te i vogli, nga gjenerali tek ushtari, nga mbreti tek shtetasi ?! Ç’bëhet n’at’ zallamahi ?! Dalin heronj prej andej, apo vetëm skllevër ?! A është e vërtetë se, pavarësisht kur, dhjetë vjet apo dhjetë sekonda para vdekjes, të gjithë njerëzit çmenden ?! Edhe me shoqëritë ashtu ndodh si me njerëzit ?! Historia, është ajo që lexojmë nëpër libra, apo ndonjë tjetër, si kjo që po shohim për shembull ?! A determinohet gjithçka, a ndodhet gjithçka nën thundrën e mediokritetit ?! A është e vërtetë se qenia në krye e njerëzve vulgarë është domosdoshmëri, fatalitet, destinatë darviniane ?! A e ka kush të drejtën, aftësinë, autoritetin, tagrën, skeptrin, për të vendosur nëse diçka, një punë, një lodhje, një mundim, është apo s’është “Art” ?! Pranimi i diktaturës apo revoltimi ndaj saj, është i lidhur me një përkatësi të caktuar shoqërore, apo ndikohet thjesht dhe vetëm nga ndjeshmëria individuale ?! A lodh, a sëmur Bukuria ?! Përderisa Progresi është aq i nevojshëm, pse refuzohet, pse është i mundimshëm ?! A është vështirë ta përdorësh Lirinë ?! Apo Liria është si lavatriçja, hidh rrecka dhe sapun dhe prit ?! Kur ikën malli vjen mallëngjimi ! Kur vjen malli ikën mallëngjimi ! Këto dihen. Por sa, a s’ma thua sa është ajo distanca, ku bie ay vendi, ku është ay katundi, ku malli dhe mallëngjimi bashkohen, dhe zjarri shpërthen, dhe bota digjet ?!O Sy i Zi ! Të lutem mos loto ! Se mund të më rrëmbejë vetëm një pikë lot nga të tut’. Dhe bie humbas teposhtë nëpër humnerat e hireve të Tua ! Lërmë të vdes për Ty ! Lejomë të ngordh për Ju ! Besomë ! Të gjitha ditët e zeza dhe netët e bardha, të gjithë koleksionin e pafundmë të dhimbjeve të duruara, krejt muzeun e mijëra mbasditeve kur skam pasur asnjë punë kur s’takova dot asnjë njeri’, të gjitha t’i dedikoj Ty o i ziu Sy.I ziu pa dhe dëgjoi. Dëgjoi dhe kuptoi. Kuptoi dhe ndjeu. Ndjeu dhe qau. Dhe lot nuk lëshoi !edisonypi@gmail.com