E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi në punë sjell ankth? Psikiatri: Duhet të zbulojmë shkaqet

Shtatori për shumë njerëz shënon fundin e pushimeve verore dhe rikthimin në ritmin e zakonshëm të punës. Por kalimi nga ditët e çlodhjes tek oraret, angazhimet dhe përgjegjësitë e përditshme jo gjithmonë përjetohet lehtë.

Mungesa e dëshirës për t’u rikthyer në punë, rënia e humorit apo një formë e lehtë ankthi mund të shfaqen në ditët e para pas pushimeve. Të njëjtën ndjesi disa njerëz e përjetojnë edhe të dielën, kur afrimi i së hënës rikthen mendimin tek detyrimet e javës së re.

“Te mentaliteti ynë shqiptar është pak më ndryshe. Ne kemi qejf më shumë pushim sesa punë. Kështu që kthimin në punë në shtator nuk e shoh diçka negative. Unë e shoh diçka pozitive nga ana ime. Mirëpo, ka shumë që e kanë atë sindromin e shtatorit në Shqipëri, që fillon pastaj ajo rutina e pushimit të humbet. Janë njerëz më të relaksuar, tani duhet marrja e përgjegjësive të reja”, tha psikiatri Besnik Abazi.

Megjithatë, Abazi nuk përjashton mundësinë që pas kësaj forme në dukje të lehtë të ankthit të fshihet një problematikë më e thellë.

“Ky problem i së shtunës ose i së hënës fsheh diçka tjetër pas tij, pasi nuk është problemi primar. Kjo do të thotë se ekziston një ngarkesë diku, një pasiguri diku, ose një problem që njerëzit nuk e shfaqin, por e mbajnë për vete. Ne, si psikiatër, duhet ta zbulojmë se nga vjen ajo”, tha ai.

Rikthimi gradual tek oraret e zakonshme, organizimi i ditës dhe krijimi i një raporti më të ekuilibruar mes punës dhe pushimit mund ta bëjnë më të lehtë kalimin nga vera në rutinën e përditshme. Shtatori, në këtë mënyrë, nuk shënon vetëm fundin e pushimeve, por edhe një periudhë ripërshtatjeje me ritmin e zakonshëm të jetës.

Gazetar: M. Gjini      

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›