E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimëkëmbja e Rrëqebullit të Ballkanit zgjerohet në Kosovë dhe Mal të Zi

group-picture-valbona-june-2013Prishtinë- Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) së bashku me partnerët e saj në Programin e Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit organizoi një workshop për rritjen e kapaciteteve në fushën e monitorimit të faunës dhe dimensionit human.

Workshopi u mbajt më 24-30 qershor, në Parkun Kombëtar të Valbonës, në Alpet Shqiptare dhe  u organizua në vazhdën e përpjekjeve të koalicionit të  krijuar nga organizatat MES, PPNEA, EuroNatur dhe  KORA, për vendosjen e një rrjeti monitorimi  kombëtar të faunës  për Shqipërinë, Maqedoninë dhe tanimë edhe për dy vendet e tjera fqinje si Kosova dhe Mali i Zi, me qëllim mbledhjen e të dhënave sistematike për rrëqebullin dhe prenë e tij. Pas workshopit të parë të organizuar vitin e kaluar në Vevçan/MK dhe Librazhd/  zhvillimi i workshopit në Valbonë shënon një hap më tej në fazën përgatitore për zgjerimin e programit përtej Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në këtë workshop kishte përfaqësues nga organizatat  PPNEA, MES, FINCH, ERA, CZIP,  OZONE dhe përfaqësues nga Parku Kombëtar Sharr në Kosovë, nga  Parqet Kombëtare në Malin e Zi, si dhe anëtarë të Agjensisë Rajonale  Mjedisore të Kosovës. Pjesëmarrësit u njohën me parimet e monitorimit, metodat, identifikimin e gjurmëve, dhe pikëprerjen e  dimensionit human me fushën e studimit të jetës së egër. Programi i trajnimit përfshinte prezantime nga kërkues dhe specialist të mirënjohur në fushën e ruajtjes së mishngrënësve të mëdhenj  të tillë si Urs Breitenmoser dhe  Manuela von Arx nga organizata KORA/Zvicër, Kujtim Mersini, Aleksandër Trajçe dhe Bledi Hoxha nga PPNEA/Shqipëri, dhe Ljupcho Melovski, Dime Melovski dhe Gjorge Ivanov nga MES/MK.

Krahas prezantimit teorik mbi parimet dhe teknikat e monitorimit të faunës,  rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga përvoja e zbatimit të Programit në Shqipëri dhe Maqedoni, po aq i rëndësishëm ishte dhe trajnimi në terren dhe aktivitetet praktike për njohjen e biodiversitetit të zonës dhe zbatimit të njërës prej metodave të monitorimit të rrëqebullit, që kryhet me anë të vendosjes së kamerave-kurth. Gjatë shëtitjes në terren pjesëmarrësit vendosën dy kamera-kurth në shtigje strategjike dhe u njohën nga afër me cilësinë e habitateve dhe vlerat e larta të florës dhe faunës së zones. Shumë e rëndësishme ishte dhe përcjellja e përvojës së bashkëpunëtores tone lokale Catherine Bohne, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit lokal në monitorimin e faunës dhe rritjen e ndërgjegjësimit të tij për ruajtjen e jetës së egër.

Në mbyllje të workshopit organizatorët u shprehën se përvoja dhe rezultatet e punës të MES dhe PPNEA mund të shërbejnë si një model, i cili mund të ndiqet dhe të zhvillohet më tej nga partnerët në Kosovë dhe Mal të Zi.  Rrjedhimisht, zgjerimi i rrjetit për monitorimin  e rrëqebullit të Ballkanit jep  një hov të ri dhe rrit më tej angazhimin për ruajtjen e popullatës së ngelur të  rrëqebullit të Ballkanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›