Rindërtimi, Sako: 13 familje në Durrës u bënë me shtëpi të re

TIRANË, 9 janar /ATSH/ 13 familje në Durrës, të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë bërë me shtëpi të reja.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako bëri të ditur se është zhvilluar sot shorteu publik ku janë shpërndarë apartamentet të cilat i përkasin lagjeve të reja në Manzë dhe Spitallë si dhe banesës kolektive në njësinë administrative nr. 5.
“Shorteu publik, i hapur dhe transparent u zhvillua në prani të familjeve përfituese, komisionit të posaçëm dhe mediave”, shkruan Sako.
Sako thekson më tej se tashmë këto familje do të jetojnë në banesa të sigurta, shumë më të mira se ato që kanë patur dhe me standarde bashkëkohore.
Lagjja e re urbane në Spitallë është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, që nga vendet e parkimit, hapësirat e gjelbra dhe qendra të ndryshme shërbimi. /j.p/