Rindërtimi i shkollës në Babrru, Manastirliu: U shërben 1500 nxënësve dhe mësuesve

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Babrru Qendër në bashkinë e Kamzës është rindërtuar nga themelet, falë Programit të Rindërtimit të qeverisë shqiptare.
Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu “kjo shkollë e rindërtuar me standardet më të mira ka hapur dyert për 1500 nxënës dhe mësues”.
Sipas një postimi të kryebashkiakut të Kamzës, Rakip Suli pak kohë më parë, kjo shkollë është ndërtuar nga e para, me parametra evropianë. Shkolla ka një hapësirë 6345 m2 sipërfaqe ndërtimi, përbëhet nga 39 klasa, 3 laboratorë, 1 bibliotekë, 1 palestër brenda shkollës dhe terren sportiv jashtë.
Sakaq, në bashkinë e Kamzës janë ndërtuar mbi 22 objekte arsimore në kuadër të Programit të Rindërtimit.
MAS gjatë vitit 2025 do të vijojnë investimet në kantieret e hapura në 40 shkolla. Me buxhetin e 2025-s do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 – 25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.
1 nga 21/r.e/a.f/