E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zv.ministrja e Arsimit dhe drejtori i ASCAP vizitë studimore në Londër

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Një delegacion shqiptar, i përbërë nga përfaqësues të arsimit në Shqipëri, po zhvillon një vizitë studimore në Londër e organizuar nga British Council si pjesë e programit Alternative Pathways.

Delegacioni përbëhet nga Orjana Osmani, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit; Gerti Janaqi, drejtor i ASCAP; Majlinda Mazelliu, drejtore e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën.

Ambasada britanike në vendin tonë njofton se, “kjo iniciativë, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) dhe mësues të përkushtuar nga Veriu i Shqipërisë, synon të përmirësojë arsimin përmes krijimit të klubeve të kodimit në 105 shkolla të mesme në të gjithë rajonin”.

Siç njofton më tej Ambasada britanike, delegacioni u prit nga Charlie Walker, drejtor i Operacioneve Ndërkombëtare në British Council.

“Duke u angazhuar në diskutime të thelluara me Adrian Fentin, Konsulent i Lartë për Anglisht dhe Arsim Shkollor, mbi sistemin shkollor të Mbretërisë së Bashkuar, fokusi ishte në Kurrikulën Shkollore dhe Arsimin Joformal, duke eksploruar praktikat më të mira dhe mundësitë për bashkëpunim,” njofton më tej Ambasada britanike.

Sipas Ambasadës britanike “si Ministria e Arsimit ashtu edhe ASCAP theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në përmirësimin e sistemit arsimor, duke siguruar mundësi më të mira për nxënësit dhe mësuesit”.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›