E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rindërtimi pas tërmetit/ Rama: Shtëpitë e fundit, pas zgjedhjeve

Takimin me qytetarët e Krujës, Edi Rama e nisi me pasojat e tërmetit të 2019, të cilin e konsideron dhe si një nga momentet më të vështira të qeverisjes së tij.

Kryesocialisti njoftoi se pas zgjedhjeve do të shpërndahen edhe apartamentet e fundit për familjet e prekura.

“Sot ne faktikisht kemi përmbyllur të gjithë detyrimet tona me shpërndarjen e 350 apartamenteve të fundit që kanë mbetur vetëm për shkak se respektuam këtë periudhë zgjedhore që ka disa rregulla të caktuara, kështu që lart në Krujë këto apartamentet do të shpërndahen menjëherë pas zgjedhje, ne arrijmë në një total prej mbi 1100 shtëpish të reja, më të bukura, më të forta dhe mbi të gjitha falas për të gjitha ato familje, të cilat sot janë pronarë legjitime të atyre shtëpive dhe nuk i kanë asnjë detyrim askujt dhe aq më pak shtetit.”

Kryesocialisti foli edhe për të tjera investime, me në krye, ndërtimin e rrugës që lidh Tiranën dhe Krujën.

“Ne më në fund jemi në kushtet kur mund ta vëmë dhe e kemi vënë planin tonë atë ëndrrën e vjetër të gjithë Krujës për të pasur një rrugë të drejtpërdrejtë lidhjeje me Tiranën dhe nëse keni ndjekur prezantimin e bërë në programin e infrastrukturës, tanimë rruga e drejtpërdrejtë është pjesë e programit tonë, ashtu sikundër nuk ka nevojë për të qenë në ndonjë program afatgjatë sepse edhe rrugën lidhëse mes Fushë -Krujës dhe Krujës.”

Gjatë prezantimit të programit të socialistëve, Rama nuk i kurseu as batutat.

“Ah vdeksha unë për ty! Rrofsh që kalove, o hudhër. Tani jemi në rregull. Po e prisja. Thashë në Krujë duhet patjetër ta dëgjoj një ‘’Rama ik’’ që të plasë syri i keq. E plasi syrin e keq. Tani kanë për ta parë në 11 maj. Edhe ku e tha? Tamam sa përmenda unë fjalën kënetë për herë të parë, tak doli bretkosa, e patë? Ah, vdeksha! Po ju se patë si ishte, se i kishte flokët e lagura. Sa kishte dalë nga dushi.” /abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›