E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ringjallet solidariteti shoqëror, banorët e Prishtës dhe Rehovicës bashkë për shtrimin e rrugës

Solidariteti shoqëror duket se po ringjallet në Shqipëri. Një shembull domethënës janë banorët e fshatrave Prishtë dhe Rehovicë në Skrapar. Ata kanë nisur një fushatë thirrjesh drejtuar banorëve të këtyre zonave, të larguarëve, emigrantëve, por edhe dashamirësve, për të koontribuar me fonde për mundësimin e shtrimit të rrugës nga Ura e Blezënckës deri në Prishtë. 
Kjo rrugë lidh mbi 16 fshatra të zonës dhe është një nyje lidhëse që në kohët antike me Përmetin dhe Gjirokastrën. Prej më se 30 vitesh, ajo ka pësuar amortizime të rënda për shkak të mungesës së investimeve dhe kujdesit. 
Thirrjes së “Grupit Nismëtar Prishta”, kanë filluar ti bashkohen shumë qytetarë, prishtallinjë apo rehovicarë të diasporës duke dhuruar shuma të konsiderueshme.
Këtë të hënë do të nisë puna për shtrimin e rrugës me rërë bituminoze, një material shumë i shtrenjtë dhe cilësor. 
Rruga mendohet se do të sjellë një ndryshim të madh në këtë zonë e cila për nga tradita dhe burimet natyrore, monumentale dhe kulturën fetare, renditet si një nga zonat me potencial të madh. 
Në Prishtë ndodhet Kalaja ilire e Prishtës ose qyteti antik i Kodrionit. Atje ndodhet Teqja e famshme ku u mbajt Kongresi i Parë Bektashian nga 14-17 maj të vitit 1921.
Banorët e këtyre anëve mendojnë se me shtrimin e rrugës do të nis edhe një erë e re për këtë zonë ku turizmi do të jetë një prej sektorëve ku do të mbështetet e ardhmja e jetës së tyre.
Në ndihmë të banorëve u është bashkuar edhe Bashkia e Skraparit e cila ka vënë në dispozicion makineritë për hedhjen e materialit mbi rrugë si dhe hapjen dhe sistemimin e kanalizimeve. 
Së shpejti RTSH do të transmetoj një dokumentar për historikun e fshatit Prishtë dhe Rehovicë. Gazetari Norel Zaimi dhe operatori Ogert Peza, do të sjellin hollësi mbi , traditat, ngjarjet e shënuara të shekullit të fundit të kësaj treve si dhe pampje ekskluzive të qytetit ilir të Kodrionit që ndodhet shumë pranë Prishtës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›