E Enjte, 5 Nëntor 2026

SPECIALE: Dritëhijet e Fondit të Ekselencës

Me fonde publike janë shkolluar në univeristetet më të mira të botës rreth 500 studentë shqiptarë, në këmbim të kthimit dhe kontributit në atdhe për të paktën dy vite.

Së paku 18 studentë, përfitues të 730 mijë dollarëve, nuk kanë përmbushur detyrimin për t’u kthyer.

Prej 13 vitesh, studentët shqiptarë me rezultate të larta, kanë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare nga fondet publike, nëse pranohen në një nga 15 Universitetet më të mira në botë. Programi i “Fondit të Ekselencës”, i nisur në vitin 2007 synonte krijimin e një elite akademike, që do të kontribuonte në Shqipëri.

Deri më tani rreth 500 studentë janë shkolluar jashtë vendit me një fond prej mbi 12 milionë eurosh. Pas përfundimit të studimeve, ata kanë qenë të detyruar të kthehen e të punojnë në vend për një periudhë jo më pak se 3 vite. Jo të gjithë e kanë përmbushur këtë detyrim. Pas më shumë se një dekade pyetja themelore është po vetë programi a e ka përmbushur qëllimin për të cilin u krijua?

 
G. M nisi studimet master në vitin 2016 në një ndër universitetet më të mira në botë, ëndrra e shumë të rinjve të apasionuar pas teknologjisë. Si studente ekselente arriti të siguronte edhe mbulimin e kostove të shkollimit në këtë universitet, për një vit, me fonde publike. Ministria e Arsimit i akordoi një shumë prej afro 88 mijë dollarësh për një vit studime master.
G. M është vetëm një prej 500 studentëve, që gjatë viteve 2007-2020 kanë përfituar fonde publike për të ndjekur universitetet më të mira në botë. Programi i Fondit të Ekselencës (FE) ka shpenzuar mbi 12 milionë euro përgjatë 13 viteve.

Fondi i Ekselencës është një program i Ministrisë së Arsimit, që nisi në vitin 2007, me qëllim për t’i dhënë mundësi më të talentuarve të shkolloheshin në universitetet më të mira ndërkombëtare, por me kushtin që përfituesit të ktheheshin për të forcuar kapacitetet e institucioneve shqiptare. 

Ky program nuk ishte një shpikje shqiptare, por një model i marrë nga Agjencia Gjermane e Shkëmbimit Akadmik, DAAD.
“Modeli që kemi marrë në atë kohë, si një përvojë e parë që po aplikohej në Shqipëri, ishte modeli i aplikimit dhe monitorimit të studentëve qe kryejnë studimet universitare dhe pas universitare  me Agjencinë Gjermane të Shkëmbimit Akademik, DAAD. Çdo vit kërkohej përparimi, shkalla e suksesit që kishin arritur, në mënyrë që të përfitohej bursa vitin pasardhës”, – thotë Myqerem Tafaj, ish Ministër i Arsimit gjatë viteve 2009-2013.

Edhe për familjet shqiptare me të ardhura mesatare është e pamundur të mbështesin financiarisht fëmijët për të ndjekur studimet në universitetet elitare jashtë vendit.  
Në pikënisje të tij, në 2007-ën, programi u aplikua vetëm për studentë ekselentë që ndiqnin jashtë vendit studimet e doktoraturës apo postdoktoraturës. Ata kishin detyrim që të pas studimeve të ktheheshin e të punonin në Shqipëri për një periudhë 5 vjeçare. Në vitin 2010 u përfshinë në vendimin e qeverisë edhe ata që ndiqnin studimet bachelor dhe master. Që të përfitonin mbështetje financiare, studentët duhet të pranoheshin në një nga 15 universtetet më të mira sipas renditjes botërore, Times Higher Education. Nota mesatare duhet të ishte mbi 9 për shkencat natyrore dhe teknike dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore. Pas përfundimit të studimeve, përfituesit duhet të ktheheshin në Shqipëri dhe të punësohen në institucionet publike apo private të paktën për një periudhë 3 vjeçare.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2014 përfshiu në këtë program edhe nënpunësit e administratës publike, të cilët po ashtu mund të përfitonin fonde për të ndjekur studimet master apo doktoraturë, por për ta vlente pranimi brenda 300 universiteteve më të mira ndërkombëtare. Edhe nëpunësit kishin detyrimin të ktheheshin dhe të punonin në  Shqipëri për 4 vite. 


Periudha gjatë të cilës studentët përfitues të Fondit të Ekselencës duhet të punonin në Shqipëri u shkurtua nga 3 në 2 vit me një VKM në shkurt të 2020-ës.  Eshtë e paqartë pse qeveria mori vendimin që  studentët e ekselencës të kontribuojnë për një periudhë më të shkurtër kohore. Ndërkohë vende të tjera, aplikojnë një kohëzgjatje disa herë më të madhe. Ish ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, sjell rastin e Hungarisë.

“Ky model zbatohet dhe në vende të tjera, për shembull Hungaria ka një program të bursave dhe mbështetjes së studentëve që studiojnë në shkencat natyrore, në shkencat inxhinierike, në shkencat bujqësore, në shkencat e aplikuara, për të ndalur largimin e  të shkolluarve nga Hungaria,  që i mbeshtesin me bursë, por ndryshe  nga Shqiperia ata kërkojnë që 12 vjet  të punosh në Hungari. Dhe ti nuk mund të shkosh nga Hungaria në Gjermani pasi ke mbaruar mjekësinë me paratë e taksapaguesve hungarezë”- thotë ish ministri Tafaj.
Pavarësisht se koha që studentët përfitues të FE duhet të punojnë në Shqipëri është relativisht e shkurtër, sërish jo të gjithë përfituesit e kanë përmbushur detyrimin kontraktual për t’u kthyer e për të punuar në Shqipëri.

G. M duhet të ishte kthyer në vitin 2017, të dorëzonte diplomën që vërtetonte përmbylljen me sukses të studimeve, të regjistrohej në zyrat e punës, të punësohej në një institucion në Shqipëri, duke përmbushur kontratën me Ministrinë e Arsimit.

E kontaktuar nga ne, G. M thotë: “Pas mbarimit të masterit në Qershor 2017, jam përpjekur të gjeja një mënyrë origjinale punësimi, në përputhje të plotë me natyrën e studimeve të mia, matematikë dhe master në inxhinieri. Kam ndjekur me vëmendje vendet vakante të punës të shpallura nga Departamenti i Administrates Publike dhe nuk kam pikasur një të përshtatshëm me profilin e studimeve te mia”. 

Kontrata me Ministrinë e Arsimit parashikon edhe punësim në sektorin privat. Ndaj G.M thotë se është fokusuar në këtë drejtim për të përmbushur detyrimet: “Gjatë gjashtëmujorit të parë, jam marrë me ngritjen e një kompanie private në Shqiperi, finalizuar në Dhjetor 2017, e cila përmbush gjithashtu thirrjen e qeverisë në vitin 2016 për studentet e ekselencës që të kontribuojnë kryesisht në sektorin privat, dhe jo të presin të punësohen në administratën publike. Kompania që unë kam krijuar jep mundësinë e punës në distancë, ka si objekt të saj kryerjen e trainimeve dhe ritrainimeve sipas kërkesave të tregut, duke e orientuar drejt kurseve në fushën IT dhe kurseve profesionale sipas kërkesave të tregjeve dinamike të punës. Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Njëkohësisht, në bashkëpunim me dy ekspertë IT, pas rreth dy viteve pune për hartimin e një programi të aplikueshëm për sistemin iOS Apple, kam krijuar një aplikacion, i cili konsiston në përmirësimin e vendim-marrjes për çdo përdorues. Aplikacioni është falas dhe mund të përdoret edhe nga përdorues nga Shqipëria.“- shkruan në përgjigjen e saj G.M.

Kompania,, ku G. M figuron ortake, është regjistruar në QKB në janar të vitit 2018 me objekt   “Edukim, trajnim dhe ri-trajnim ne fushat prioritare dhe tregjet potenciale të punësimit si edhe çdo aktivitet që përfshin këtë fushë. Në përputhje me legjislacionin shqiptar, në mënyrë që të arrihet qëllimi i sipërpërmendur, Shoqëria mund: të kryej çdo transaksion në lidhje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, çdo aktivitet tregtar, financiar, dhenie-marrje me qira, te vendos pengje dhe barre hipotekore; aktivitete këto te konsideruara të dobishme apo të nevojshme për të realizuar qëllimet e Shoqërisë dhe që nuk tejkalojnë në masë aktivitetin kryesor të sipërcituar”.

Një vit më pas, në janar të vitit 2019 në objektin e saj u përfshinë edhe kurset profesionale ne fushën e ekonomisë, IT, legjislacion dhe gjuhëve të huaja. Ndërsa në prill të 2020-ës kompania ka pezulluar aktivitetin.

G.M nuk saktëson nëse është kthyer në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Por ajo thotë se ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit.

 “Lidhur me çertifikatën e përfundimit të masterit, listën e notave dhe gjithë dokumentacionin që shpjegon aktivitetin tim në Shqipëri, mbi angazhimet e mia, në Dhjetor 2018 kam njoftuar Fondin e Ekselencës, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, nëpërmjet një letre, për të cilën nuk më është kthyer përgjigje. Këto dokumenta ua kam dërguar gjithashtu në datën 13 Mars 2019 tek adresa Fondi.Ekselenca@arsimi.gov.al., si dhe në Shkurt 2020 dërguar nëpërmjet Zyres së Postes Shqiptare.„

Ndonëse G. M pretendon se ka plotësuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata, Ministria e Arsimit thotë se strukturat përkatëse të saj “janë duke vijuar procedurat ligjore për mospërmbushje të detyrimeve”.

Nëse  do të kishte punuar në Shqipëri të paktën për 3 vite, sot G. M do të ishte e lirë nga çdo detyrim që rrjedh nga kontrata që ka me Ministrinë e Arsimit, si përfituese e fondeve publike. Por rreth 5 vite nga moment i përfitimit të 88 mijë dollarëve, Ministria e Arsimit thotë se është ende në fazën e ndjekjes së procedurave ligjore. Këto prodecura nuk po ndiqen vetëm për G.M, por për të paktën 17 studentë të tjerë, përfitues të Fondit të Ekselencës. Të gjithë bashkë kanë përfituar jo pak, por mbi 730 mijë dollarë gjatë viteve 2014-2019.

Fenomeni përsëritet në kohë. Në vitin 2018, Albana Vokshi, në atë kohë deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias i kërkoi informacion Ministrisë së Arsimit për ecurinë e programit dhe mori këtë përgjigje:
“Në periudhën kohore 2013-2018 janë mbështetur nga Fondi i Ekselencës 115 përfitues. Deri në vitin 2017-të, rezulton që 71 prej tyre janë ende duke ndjekur studimet, 20 prej tyre janë punësuar në Shqipëri dhe për 24 vetë posta shqiptare ka kthyer zarfet me shkresat e detyrimeve, për shkak të adresave jo të sakta. Lidhur me këta 24, raste MASR po kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, adresën për të ridërguar shkresën e detyrimeve. Në rast të mos përgjigjes, MASR do të ndjekë procedurat ligjore pranë organeve kompetente”.

Ajo që bie në sy në informacionin e dhënë nga Ministria në vitin 2018, është fakti se numri i atyre që nuk kishin përmbushur detyrimet (24) ishte më i lartë se i të punësuarve në Shqipëri (20).

Ndërsa në përgjigjen që i morëm në mars të 2021 Ministrisë së Arsimit, përmes Ligjit për të Drejtën e Informimit të publikut me dokumenta zyrtare thuhet: “Për periudhën 2014-2020,  janë 30 përfitues të FE që rezultojnë të punësuar në Administratën shteterore ose në kompani private dhe për 18 përfitues të FE, stukturat përkatëse në MASR janë  duke vijuar procedurat ligjore për mospërmbushje të detyrimeve prej tyre”.

A funksionojnë mekanizmat monitorues të programit të ekselencës? A është efiçent sistemi i gjurmimit?

Studentët përfitues që nuk përmbushin detyrimet e kontratës do të duhej që brenda 6 muajve nga njoftimi i MASR të kthejnë mbrapsht shumën e përfituar nga Fondi Ekselencës ose në të kundërt vijohet me hapjen e proceseve gjyqësore.
Në rastin më të mirë, Gjykata do t’i detyronte këta studentë të kthenin Fondin e përfituar. Por sërish programi i Fondit të Ekselencës nuk do ta kishte përmbushur misionin e vet për përgatitjen e një brezi të kualifikuar që do të jepnin kontribut në forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare. Në këtë rast fondi ekselencës thjesht do të ishte i barazvlefshëm me një kredi pa interes. Në vitet 2018-2019, tre studentë kthyen paratë e përfituara nga Fondi për të kryer studimet, duke u çliruar në këtë mënyrë nga detyrimet e kontratës.

“Fakti që u kufizua për 3 vjet koha e detyrueshme për të punuar në Shqipëri (sot ky detyrim është ulur në 2 vjet) ishte një lloji vetë ndërgjegjesimi që ne nuk mund të pretendojmë që këta studentë t’i mbajmë gjithë kohës në Shqipëri. Prandaj u vendos ky afat, por të paktën ky afat duhet te respektohet. Ndoshta me kalimin e kohës edhe kushtet e kontratës duhet të përmirësohen”- thotë ish ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Investimi prej 12 milionë eurosh me Fondin e Ekselencës do të thotë që gjatë 13 viteve të fundit 500 studentë të diplomuar në universitetet elitë të botës të kishin dhënë kontributin e tyre në Shqipëri. Por Ministria e Arsimit nuk ka sot një raport vlerësimi për të parë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet përmirësuar në mënyrë që fondet publike për  “armatën e ekselencës” të shërbejnë për një administrate më të mirë në shërbim të publikut.  

Po ata që përmbushin detyrimet e kontratës…?

Nga njëra anë ka përfitues të Fondit të Ekselencës, që nuk e përmbushin detyrimin për t’u kthyer në Shqipëri pas studimeve, por edhe ata që janë në anën tjetër të medaljes, nuk e kanë patur rrugëtimin të lehtë. 

R. H u pranua në vitin 2010 në një nga 15 universitetet më të mira në botë për të ndjekur studimet master dhe aplikoi për të përfituar Fondin e Ekselencës. R. H u përzgjodh si fitues në vitin 2010, por duke qenë se për atë vit fondi ishte shpenzuar, ai e përfitoi atë në vitin pasardhës. R. H ishte një ndër 69 përfituesit të fondeve në vitin 2011. “U përzgjodha fitues, por deri në momentin që mora fondet kishte boll percipeci, çështje procedurash. M’u desh të prisja më shumë se një vit për të marrë fondet. Unë kisha përfunduar studimet bachelor, kisha nisur dhe punë, kur më erdhi njoftimi,” – thotë R.H. 

Në vitin 2010 në programin e Fondit të Ekselencës u përfshinë edhe studentët që do të kryenin studimet bachelor apo master, me kushtin që të përzgjidheshin në një nga 15 universitetet më të mira në renditjen botërore, Times Higher Education.
Në VKM-në e këtij viti u ndryshua edhe afati që përfituesit duhet të punonin në Shqipëri pas studimeve, nga të paktën 5 vite që ishte në vkm-në e vitit 2007 në  të paktën 3 vite. 

Të dhënat e siguruara nga Ministria e Arsimit tregojnë se vetëm 9 nga 69 përfituesit e atij viti janë pranuar në 15 universitetet më të mira, të tjerët janë pranuar në Universitete jashtë vendit, që renditen edhe më poshtë se 200 të parat. Edhe pse nuk kanë plotësuar kriterin ata i kanë marrë fondet. 

Pas studimeve, R. H u kthye në Shqipëri dhe deri në vitin 2015 përmbushi të gjitha detyrimet, përfshirë edhe punësimin në një institucion publik për më shumë se 3 vite. Të gjithë dokumentacionin e nevojshëm e dorëzoi në Ministrinë e Arsimit. Por pavarësisht kësaj, telashet e kanë përndjekur edhe më pas. 

“Që nga 2015-ta nga Ministria më kanë kërkuar dy herë një mal me dokumenta për të vërtetuar që kam plotësuar të gjitha detyrimet. I çova njëherë dhe pas një viti m’i kërkuan prapë të njëjtat dokumenta. U tregova vetëm letrën e protokollit që i kisha depozituar dhe më thanë se nuk po i gjenin. Më duket papërgjegjshmëri“- thotë R.H

A ka Ministria e Arsimit sot një bazë të dhënash për studentët që vet i ka financuar me fonde publike?! Fakti që R.H i është kërkuar më shumë se një herë të dorëzoj dokumentacionit, hedh dyshime të forta se një bazë e tillë mund të ekzistojë. 

Një vlerësim i ecurisë së programit do të krijonte një ide më të qartë se cilat janë pikat e tij të dobëta dhe si mund të përmirësohen. Por në 13 vite pak gjë ka ndryshuar, detyrimet e përfituesve veçse kanë ardhur duke u zvogëluar. 

Albana Agolli
Keti Toroveci

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›