Rinovim i konvikteve dhe digjitalizim i sektorit energjetik, tri marrëveshje me Gjermaninë

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi tri marrëveshje me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
Qeveria miratoi në parim marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V”.
Në mbledhjen e sotme, u miratua në parim edhe marrëveshja e bashkëpunimit financiar 2024 për projektin “Programi për klimën në Shqipëri II – program i hapur mbi eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë”. Ky program fokusohet në mbështetjen e politikave të tranzicionit energjetik, rritjen e eficiencës dhe modernizimin digjital të sektorit të energjisë në vend.
Po sot u miratua edhe marrëveshja e bashkëpunimit financiar 2023 për projektin “Programi për klimën në Shqipëri – program i hapur për eficiencën e energjisë dhe digjitalizimin e sektorit të energjisë”, i cili vijon mbështetjen për nisma që synojnë reduktimin e ndikimit mjedisor dhe përmirësimin e performancës energjetike.
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.
/e.i/r.e/