E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinumërim në Lezhë e Shkodër, panik në PS, pasi u zbardh skema e manipulimit

20-07-2013 / Gazeta 55

KQZ vendos të rinumërojë të gjitha kutitë e qarkut të Lezhës, pas konstatimit të manipulimit flagrant të rezultatit, në 10 qendra votimi. Investigimi i jep përgjigje edhe kërkesës në panik të socialistëve për anulimin e zgjedhjeve në këtë qark. Tmerri i hapjes së kutive është bërë masiv, pas vendimit të komisionit për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për Qarkun e Shkodrës. Socialistët s’dinë reagim tjetër dhe kanë nisur të flasin për zjarrvënie të Shqipërisë
Anëtari i KQZ, Osmanaj: Komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje me 4 vota “pro” rinumërimin e kutive të qarkut të Lezhës. Vendimi është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision të cilët e cilësuan vendimin “çmenduri”. Vendimi i KQZ-së erdhi pas kërkesës së anëtarit të Komisionit, Klement Zguri, për hapjen e kutive dhe për verifikim të materialeve zgjedhore të të gjithë qarkun. Kjo kërkesë e tij vjen pas numërimit të votave në 10 kuti dhe konstatimit për manipulim të rezultatit në to. Sipas Zgurit, sistemi i numërimit të votave e ka humbur besimin, ndaj dhe lypset transparenca e procesit në këtë qark. “Kërkoj të hapim të gjitha kutitë e zonës zgjedhore Lezhë. Situata është kaq komprometuese dhe e bën dramatike gjendjen në vendet e numërimit të votave, ku kemi një përfshirje të madhe të personave të administratës zgjedhore. Kërkesa ime synon të bëjë të mundur transparencën e kësaj situate”, u shpreh Zguri. Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në mbështetje të kësaj kërkese, tha se hapja e 10 kutive në Lezhë dhe ndryshimi total i rezultatit në këto QV shtoi dyshimin se komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija. “Kodi i ndryshuar zgjedhor i shtoi masat e dënimit në mënyrë të jashtëzakonshme për administratën që deformon ose pengon procesin. Hapja e kutive në Lezhë tregon se pavarësisht se janë shtuar masat përsëri administrata zgjedhore ka abuzuar me detyrën dhe e ka tjetërsuar rezultatin në Lezhë”, tha Osmanaj. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kundërshtuan duke kërkuar bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje. Ndërkaq, anëtarët e KQZ-së, sqaruan se nga hapja e 10 kutive të votimit u konstatua problematikë dhe tjetërsim i rezultatit. Nga kjo bazë insistuan ata duhet të kalohet tek hapja e të gjitha kutive të votimit të qarkut për të parë se çfarë ka ndodhur. “Të bëjë transparencën përfundimtare për këtë proces. Të bëjmë transparencë të plotë, sipas bazës ligjore. Zgjidhja më e drejtë dhe të zgjerojmë hetimin në funksion të marrjes së rezultati të drejtë dhe zgjidhjes përfundimtare”- tha Shtjefni. Ndërkaq, KQZ vendosi ngritjen e 8 grupeve të numërimit me nga 2 anëtarë për rinumërimin e 248 kutive zgjedhore në Qarkun e Lezhës. Numërimi i votave do të nisë gjatë të shtunës. 

Sot rinumërimi në Lezhë, KQZ miraton procedurat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje procedurat që do të ndiqen për hapjen e 248 kutive të votimit të qarkut Lezhë. Pas miratimit të vendimit për thellimin e hetimit administrativ në këtë qark, KQZ përcaktoi rregullat që do ndiqen për hapjen e kutive. KQZ vendosi ngritjen e tetë grupeve të numërimit, me nga dy anëtarë, të cilët do të nisin nga puna paraditen e së shtunës (ora 10:00). Të gjitha kutitë do të sillen në ambientet e KQZ-së nga magazinat e Lundrës, ndërsa u ra dakord që çdo ditë të hapen 80 kuti. Përfaqësuesit e partive politike do të kenë nga një vëzhgues gjatë procesit të numërimit. Ndërkohë gjatë debatit për këtë çështje ata shprehën dyshime se vendimi i KQZ-së cenon integritetin e kutive të votimit. Në Lezhë rezultati fillestar ishte 4 me 3 në favor të së majtës, por një vendim i mëparshëm i KQZ e ktheu në 4 me 3 në favor të së djathtës. Në Shkodër rezultati është po në favor të së majtës, 6 mandate për të kundrejt 5 për të djathtën. Me vendimin e djeshëm Komisioni qendror do të duhet të bëjë rinumërimin e mbi 200 mijë fletëve të votimit.

Kërkesa e PR, rinumërim në 5 QV në Shkodër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje po me katër vota “pro”, kërkesën e PR për rinumërimin e votave në Shkodër. Përfaqësuesi ligjor i PR-së, Arian Madhi, pretendoi se procesi në këtë qark është manipuluar dhe për këtë ai kërkoi rinumërim të votave në këtë zonë zgjedhore. “Në Shkodër jemi para të njëjtës situatë si në rastin e qarkut Lezhë dhe konstatojmë se ka manipulime. Ajo që na duhet në këto momente është transparenca e procesit, për të garantuar integritetin e tij”, theksoi Madhi. Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, tha se qarku i Lezhës zbuloi një realitet tjetër, të paparashikuar me grupet e numërimit të votave. “Ajo që ne mendojmë është se grupi i numërimit të votave atje na solli shifra të ndryshme mes votave në kuti dhe atyre të paraqitura në tabelë. Dyshimet tona për këta persona do i çojmë tek organi i akuzës”, tha kryetarja e KQZ-së. Në fund të mbledhjes KQZ pranoi ankimin e PR dhe vendosi për rinumërimin e votave në zonën zgjedhore të Shkodrës.

Zguri: Në kutitë e Lezhës, manipulimi absurd
Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri tha se vendimi në KQZ për hapjen e të gjithë kutive të Lezhës, erdhi pas daljes së fakteve në dritë gjatë periudhës së hetimit që u krye si pasojë e kërkesave për manipulim nga subjektet politike. Zguri tha se nga administrimi u vu re një manipulim absurd të rezultateve, teksa paralajmëroi masa për komisionarët që kanë shkelur ligjin. “Kishim disa ditë që KQZ ishte investuar në raport me disa kërkesa ankimore që kishin bërë subjektet zgjedhore për qarkun Lezhë. Kishte ankesa për tabulimin e rezultateve dhe probleme pavlefshmërie. Gjatë ardhjes së rezultati nga Lezha në KQZ 10 tabela ishin të korrigjuara dhe fotokopje. Gjatë administrimit të kërkesave ankimore hapëm 10 QV dhe 6 kuti votimi kërkesë e PS, ajo që pamë ishte flagrante ishte manipulim absurd, rezultate që nuk korrespondonin as me materialin zgjedhor dhe as rezultatin e tabelave të KQZ. Kjo na bërë të rrëzojmë besimin që kemi në sistemin e numërimit të votave. Gjithçka do bëhet nën prani të mediave dhe nuk do ketë asgjë fshehur”, u shpreh Zguri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›