E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ hap kutitë e Lezhës, 8 grupe me nga dy anëtarë do numërojnë votat

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e kutive të votimit të qarkut të Lezhës, sikundër u vendos një ditë më parë.

Janë ngritur 8 grupe numërimi, secili grup me nga 2 anëtarë për ta bërë këtë proçedurë edhe më të shpejtë.

Nuk është hera e parë që hapim kutitë, proçedura është e njohur. Ashtu si hapëm kutitë e para, numëruesit do të lexojnë kodet dhe administrata do të bëjë verifikimin- tha kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi.

Ndërkaq ditën e djeshme, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur zhvendosjen nga Lundra në ambjentet e këtij institucioni të 248 kutive të votimit të qarkut të Lezhës.

Gjithashtu, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën e Partisë Republikane për hapjen e të gjitha kutive të qarkut të Shkodrës.

Përfaqësuesi ligjor i PR-së, Arian Madhi, pretendoi se procesi në këtë qark është manipuluar dhe për këtë ai kërkoi rinumërim të votave në këtë zonë zgjedhore.

Falsifikime të dukshme. Në 18% të QV kemi konstatuar parregullsi. Të ndërhyhet për të siguruar integritetin e procesit. Korrigjime në shpërndarjen e votave. Procesi i Shkodrës, dukshëm i manipuluar, u shpreh Madhi.

Më herët, përfaqësuesi i Partisë Republikane kishte kërkuar hapjen vetëm të 79 kutive të votimit të qarkut të Shkodrës për të cilat kjo forcë politike pretendonte se ka pasur manipulime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›