E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqen maskat, drejtojnë armën për 10 mijë lekë

VLORË - Maskat janë shfaqur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa guximi për të sulmuar me armë është marrë për vetem 10 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, në vendin e quajtur Bregu i Llanit. Siç bën me dije policia e Vlorës, sulmi është kryer nga dy persona të maskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e një pistolete ata kanë ndalur 29 vjeçarin Erjon Sheraj që udhëtonte me mjetin e tij, Benz 124 me targa BD 645 CP në këtë aks. Ai kishte qenë në baxhon e të atit për të bërë furnizime dhe po kthehej në drejtim të Vlorës, ku edhe banonte.

Teksa ka qenë ndërmjet fshatrave Armen e Selenicë, 29 vjeçarit i kanë dalë përpara dy persona të maskuar, një prej të cilëve ka nxjerrë pistoletën. I maskuari, nga jashtë makinës, i ka drejtuar armën në kokë, duke i kërkuar shumën e lekëve që kishte me vete. Në këto kushte i riu ka nxjerrë portofolin, ndërsa maskat me shpejtësi kanë marrë lekët. Por të pakënaqur me shumën ata kanë rikërcënuar që të nxjerrë të gjitha lekët. Pasi nuk kanë patur gjë tjetër për të marrë, dy personat e maskuar i kanë marrë edhe celularin duke mos i lënë mundësi komunikimi dhe duke e detyruar të riun të ndryshonte rrugën, pra të kthehej nga kishte ardhur. Por nuk ka mbaruar vetëm me kërcënimin dhe grabitjen. Në kohën kur automjeti po kthehej, maskat kanë qëlluar me armë xhamin e pasëm të makinës, i cili është thyer dhe plumbi ka mbetur në kornizën e derës.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, ku nga specialistët është shqyrtuar gjithçka. Nga shpjegimet që 29 vjeçari u ka dhënë policëve, ai ka treguar se kalonte shpesh në këtë rrugë dhe ndoshta kjo ka bërë që të planifikohet grabitja, duke menduar se mbante me vete shuma të mëdha lekësh. I riu ka mohuar të ketë patur probleme, apo konflikte të mëparshme, ndërsa nuk ka njohur agresorët. Policia po punon për dokumentimin e gjithë ngjarjes. Ka nisur hetimi për identifikimin e maskave, mbi të cilët rëndon akuza e vjedhjes me armë. Në raste të tilla më e pakta ata rrezikojnë 10 vjet burg.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›