Rishikimi i buxhetit, peng i negociatave me FMN-në

Megjithatë, shkaku kryesor që po vonon vënien në zbatim të planit të ri të shpenzimeve për pjesën e mbetur të vitit 2010 mësohet të jetë ekipi negociator i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Edhe pse qeveria e ka të qartë planin e shkurtimit të shpenzimeve dhe kuadrin e ri makrofiskal, për shkak të raporteve dhe marrëveshjes, nuk do ta miratojë paketën e ndryshimeve pa njohur më parë Fondin Monetar, sikurse kanë vepruar disa vende të rajonit.
“Shqip” publikoi javën e kaluar lajmin për vizitën e FMN-së, duke paralajmëruar diskutime të forta rreth disa çështjeve që shqetësojnë institucionin monetar, për të cilat qeveria ka treguar vullnet për t’i zbatuar, por jo në nivelin e duhur.
Burime zyrtare konfirmojnë vizitën e shefit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell, i cili duhet të kishte mbërritur më 7 korrik në Tiranë. Në axhendën e tij janë parashikuar zhvillimi i disa takimeve, ku më të rëndësime janë ato me kreun e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Plani paraprak është për reduktimin e buxhetit me rreth 40 miliardë lekë, ku 10 miliardë janë masë shtesë që ndikon në zvogëlimin e deficitit buxhetor me 0.5 për qind.
Sa i takon nivelit të ri të pagave, me premtimin se do të rriten deri me 6-7 për qind, vendimi nuk është marrë ende, edhe pse jemi në javën e dytë të muajit korrik.
Lidhur me vonesën, Ministria e Financave sqaron se nuk ka asnjë problem që lidhet me shpenzimet apo me shtyrjen e miratimit të buxhetit të ri, pasi fondi është i planifikuar te kontigjencat (rezervat) dhe se ajo çfarë po ndodh aktualisht lidhet vetëm me aspektin teknik, asgjë më shumë.