Rishikimi i ligjit të arsimit të lartë, Kumbaro: Drafti i parë gati në fund të tetorit

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se puna për rishikimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë” vijon intensivisht, në bashkëpunim me universitetet dhe drafti i parë pritet të jetë gati në fund të tetorit.
Në fjalën e saj në aktivitetin për hapjen e thirrjes për Financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026, Kumbaro tha se “ligji i ri synon përmirësimin e kuadrit ligjor të arsimit të lartë, me fokus përafrimin e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës dhe objektivat e zhvillimit të vendit, në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030”.
Më tej duke folur për rëndësinë e projekteve kërkimore dhe publikimin e tyre në revista të indeksuara, ministrja e Arsimit u shpreh se Universiteti i Tiranës është renditur në Times Higher Education World University Rankings 2027.
“Për herë të parë, një universitet shqiptar renditet në një nga klasifikimet më të njohura globale të universiteteve. Ndërkohë, 6 universitete të tjera shqiptare mbajnë statusin “Reporter” në këtë klasifikim, që është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së tyre në renditjet ndërkombëtare”, tha Kumbaro.
/k.s/j.p/r.e/