Risi në pullat fiskale, rritet siguria dhe transparenca përmes teknologjisë dhe barkodit. Malaj: Përafrohen me standardet e BE

Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së vendimeve të qeverisë, ka bërë të ditura disa risi lidhur me elementet e sigurisë së pullave fiskale.
Sipas tij, pullat e reja fiskale përmbajnë dy elemente të shtuara sigurie, të cilat synojnë të ulin mundësinë e falsifikimit të tyre dhe të rrisin nivelin e mbrojtjes së sistemit fiskal. Ai theksoi se në këto pulla do të vendoset edhe teknologji për gjurmimin e tyre, duke u dhënë mundësi autoriteteve të ndjekin procesin nga prodhuesi deri te konsumatori.
Një tjetër risi, sipas ministrit, është edhe vendosja e barkodit në këto pulla fiskale. Përmes skanimit të tij, konsumatorët do të mund të marrin informacion mbi produktin e akcizës. Kjo masë, sipas tij, pritet të shërbejë edhe në rritjen e sigurisë ushqimore.
“Elementet e sigurisë së pullave fiskale ku ai solli disa risi, pasi pullat e reja kanë dy elemente që rrisin elementet e sigurisë dhe ulin mundësinë e falsifikimit të tyre, dhe do të vendosim teknologjinë në gjurmimin e tyre në pulla, duke u dhënë mundësi autoriteteve që të ndjekin proceset që nga prodhuesi deri te konsumatori.
Nga ana tjetër, një risi është edhe barkodi që do të vendosim në këto pulla, ku konsumatorët do të kenë mundësinë të ndërveprojnë me produktin e akcizës, ku përmes skanimit do të marrin informacion se kush është prodhuesi, importuesi dhe data kur ka hyrë produkti në vend, dhe kjo vjen edhe në dobi të sigurisë ushqimore”, tha Malaj.
Malaj bëri të ditur gjithashtu se prej një viti, pullat fiskale prodhohen nga kompania shtetërore Albtrace sh.a., me një kosto rreth 20% më të ulët krahasuar me koncesionarin e mëparshëm.
Sipas tij, këto zhvillime janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe synojnë përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në vend.
“Këto pulla fiskale, prej një viti, prodhohen nga kompania shtetërore Albtrace sh.a., prodhohen me një kosto që është 20% më e ulët se sa koncesionari i mëparshëm.
Këto produkte janë në linjë me përafrohen e standardeve të BE-së dhe përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në vend”, tha ministri.
/rtsh.al/