E Diel, 1 Nëntor 2026

Risitë e Kodit të ri Penal! Liri me kusht për të dënuarit për jetë, zbutje e dënimit për krimin ekonomik

Prezantohen ndyshimet në Kodin Penal. Drejtuesi i grupit për hartimin e draft- kodit që do të hidhet nga sot për konsultim publik, Arben Rakipi bëri të ditura disa nga këto propozime mes të cilave edhe lirimi i parakohshëm i të dënuarve përjetë.

“Përfundimisht diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë sepse këtu mpleksen shumë gjëra një pjesë e të cilave i përmenda, paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj, por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme”, tha Arben Rakipi.

Me kodin e ri pritet zbutja e disa veprave penale në fushën e krimit ekonomik. Nëse dikush kryen një krim të tillë, fillimisht ai do të gjobitet, e në rast përsëritjeje vepra do të marrë karakter penal. Krahas lehtësimit këtyre personave, Arben Rakipi thotë se kjo të ulë edhe stokun e dosjeve.

“Autoriteti tatimor do të vlerësojë administivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale. Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova”, u shpreh Rakipi.

Menjëherë pasi t’i nënshtrohet konsultimit publik, draft-kodi do të certifikohet në Bruksel, nëse i përgjigjet apo jo kritereve europiane, e më pas do te miratohet në parlamen. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ftoi opozitën të integrohet në këtë proces.

“Kodi aktual kishte 285 nene e 550 paragrafe dhe aktualisht  janë bërë 30 ndërhyrje dhe ka 327 nene. Një ftesë të veçantë dua t’i drejtoj opozitës së vendit tim, të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik. Në BE shkon Shqipëria jo vetëm qeveria apo një forcë e caktuar politike”, deklaroi Manja.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi pati një kërkesë drejtuar hartuesve:

 “Kriminalizimin e tepruar dhe formulime të mbartura nga e kaluara, që e identifikojnë Kodin Penal, si një model më shumë ndëshkues se rehabilitues. Gjykata e Lartë kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson. Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet”, tha Sadushi.

Ndër risitë e Kodit të Ri të propozuar janë: Vendosja e dënimeve alternative, pra jo ato me burgim, mashtrimi me produktet ushqimore, terrorizmi kibernetik dhe bullizimi në rrjet, veprat penale në fushën e prokurimit publik, vendosja e një pragu sasior për lëndët narkotike, trafikimi i armëve 3D, shkaktimi i vetëvrasjes dhe pengimi i drejtësisë. Me rëndësi madhore është edhe mbrojtja e posaçme për të miturit. Sipas draft kodit në kuptimin e ligjit tashmë i mitur do të konsiderohet çdo person deri në moshën 21 vjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›