E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rituali i jetës jepet në Prishtinë

Teatri i Operës dhe Baletit i Shqipërisë performoi për herë të parë në Prishtinë. Paraprakisht, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur të premten në një takim drejtorin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Republikës së Shqipërisë, Zhani Ciko.

Me ftesë të MKRS-së, Trupa e Operas dhe Baletit nga Shqipëria ka mbajtur në Prishtinë shfaqjen “Rituali i jetës” një etno –mjuzikell. Kjo shfaqje është në kuadër të festimeve zyrtare të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ministri Krasniqi e vlerësoi si të veçantë këtë moment për kulturën e të dy vendeve.

“Është një moment i veçantë për ne, pasi për herë të parë në Prishtinë, Trupa e Teatrit, Operës dhe Baletit e Shqipërisë jep një shfaqje në Kosovë. Aq më tepër kjo po bëhet në një vit jubilar për shqiptarët, siç është 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë”, tha ai. Ministri shtoi se ky takim është një rast më shumë që të thellohet bashkëpunimi dhe shkëmbimi mes institucioneve të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë. “Kosova ka shumë çka të mësojë nga Shqipëria, veçanërisht nga opera, pasi që ne kemi ende sfida në këtë aspekt”.

Ministri Krasniqi ka folur edhe për ecurinë e aktiviteteve të tjera të organizuara për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas tij deri më tash ka pasur një koordinim shumë të mirë mes dy ministrive të kulturës në Kosovë dhe Shqipëri. Ai tha se në ditët në vazhdim, deri më 28 nëntor do të ketë edhe disa aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me krijimtarinë kombëtare në film, pikturë dhe teatër.

Nga ana e tij, drejtori i Teatrit, Operës dhe Baletit, Zhani Ciko ka vlerësuar se ardhja në Prishtinë, në një vit jubilar, është një ngjarje madhështore. Ai ka falënderuar ministrin Krasniqi për gatishmërinë dhe mbështetjen që i ka dhënë kësaj nisme.

“Shfaqja në të vërtetë është e ndërthurur me traditat tona, traditat shqiptare, por e gërshetuar me modernen”, ka thënë ai, teksa ka shprehur vullnetin që vërtetë institucionet kulturore në Kosovë dhe Shqipëri të rrisin bashkëpunimin.

Shfaqja “Rituali i Jetës” është dhënë të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë në ora 20:00. Të pranishëm qenë, përpos tjerëve, ministri Krasniqi dhe ministri i TKRS së Shqipërisë, Aldo Bumçi.

Mbështetje për ardhjen e kësaj shfaqje në Kosovë ka dhënë edhe Spitali Amerikan në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›