E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rivitalizimi i Tregut të Fruta-Perimeve në Elbasan, miratohet fondi për shpronësimet

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi fondin për shpronësimin e pronarëve të pasurisë private që do të preken nga realizimi i projektit të “Rivitalizimit dhe Rikonstruksionit të Tregut Fruta–Perime” në lagjen “Kongresi i Elbasanit”.

Në mbështetje të legjislacionit në fuqi, vendimi parashikon shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 1.41 milionë lekë, kompensimi i të cilëve do të bëhet nga buxheti i Bashkisë Elbasan. Shpronësimi do të nisë menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të përfundojë brenda 3 muajve. Bashkia Elbasan është autoriteti që kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan do të kryhen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Vendimi i plotë:

V E N D I M
PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I TREGUT FRUTA – PERIME NË LAGJEN “KONGRESI I ELBASANIT”, NË ZONËN KADASTRALE 8521”, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rivitalizimi dhe rikonstruksioni i tregut fruta – perime në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në zonën kadastrale 8521”, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.

8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30  ditëve nga data e  miratimit  të  këtij  vendimi,  nis  procedurat  për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron  aktin  e  kalimit  të  pronësisë  në  favor  të Bashkisë  Elbasan  për  pasurinë  e  shpronësuar,  sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin  e  realizimit  të  procesit  të  hedhjes  së gjurmës  së  projektit  mbi  hartën  kadastrale  dhe regjistron  aktin  e  kalimit  të  pronësisë  në  favor  të Bashkisë  Elbasan për  pasurinë  e  shpronësuar,  sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›