Rob Belushi në TV amerikane

Rob Belushi vjen nga familja shqiptare me të njëjtin mbiemër. Aktori 32 vjeçar është djali i Jim dhe nipi i John Belushit dhe në 10 vitet e fundit aspiron të bëjë karrierë në botën e kinemasë.
Deri tani Rob Belushi ka interpretuar në shfaqje televizive, si tek ajo ku interpreton dhe i ati “According to Jim” dhe “The Defenders”, ndërsa aktualisht po merr pjesë në një reality "The Joe Schmo Show" të transmetuar në televizionet amerikane. Ai e cilëson mbiemrin e tij të famshëm si “një thikë me dy presa”. “Mendoj se njerëzit janë shumë të interesuar të shohin se çfarë mund të ofroj unë. Gjithashtu, mendoj se ata kanë pritshmëritë e tyre se në çfarë niveli do të jem, pasi unë nuk jam as xhaxhai im dhe as babai im”, transmeton TCH të ketë thënë Rob Belushi. Shfaqja televizive ku ai po merr pjesë "The Joe Schmo Show", i kërkon atij të përdorë aftësitë e asimiluara në skenat e Çikagos, aty ku i ati dhe xhaxhai filluan karrierën e tyre. Belushi u rrit në Çikago dhe u transferua në Los Anxheles për të ndjekur shkollën e mesme. Fillimisht ai nuk ishte i interesuar për aktrimin dhe preferonte punën prapa skenave, por me kalimin e kohës ndryshoi mendje. /Indeksonline/