Roben pranon: Te Holanda ka klane
Arjen Roben ka pranuar se klanet brenda kampit holandez sollën eliminimin e parakohshëm të tulipanëve nga Europiani. Fakti që media flet gjatë gjithë kohës për klane në skuadrën holandeze, është e vërtetë. Kemi probleme të brendshme në dhomat e zhveshjes, por gjithashtu ekziston vullneti për ti mbajtur brenda ekipit. Duhet të na besoni se dhamë gjithçka për tu kualifikuar, por nuk funksionoi. Mos u përpiqni të gjeni kokë turku. Ishte dështimi i të gjithëve, – deklaroi për mediat Roben. Flitet për një ndarje mes grupit të Shnajderit dhe atij të Van Persit, që e ka zanafillën prej filozofisë së lojës. Fantazisti i Interit kërkon lojën e bukur dhe për këtë ka mbështetjen e lojtarëve të dalë nga akademia e Ajaksit. Njëri prej tyre është Huntelar, i cili nuk shkon me Van Persin dhe është akuzuar edhe për sabotazh në ndeshjen me Portugalinë.