Robert Elsie, albanologu i shquar që prehet në Theth

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Më 29 qershor 1950 në Vankuver të Kanadasë lindi Robert Elsie, një prej zërave më të rëndësishëm të albanologjisë moderne.
Pas një rrugëtimi akademik në universitetet e Berlinit, Parisit, Dublinit dhe doktoraturës në Bon, ai ia kushtoi jetën zbulimit dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë. Përmes një pune kërkimore të palodhur, Elsie solli për lexuesin ndërkombëtar kryevepra si “Lahuta e Malcisë” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Fjalorët e tij historikë mbeten pika referimi për çdo studiues, të letërsisë dhe historisë shqiptare.
Kontributi i tij kaloi kufijtë e librit, duke u shtrirë në folklorin shqiptar, dokumentimin e dialekteve, arkivimin e këngëve popullore dhe eposit të kreshnikëve. Robert Elsie krijoi një platformë digjitale ku publikoi tekste, fotografi të hershme dhe materiale historike, duke e bërë kulturën shqiptare të aksesueshme globalisht.
Më 15 maj të vitit 2013, Robert Elsie mori “Medaljen e Mirënjohjes” si një nga albanologët më të shquar, që për mbi tri dekada kontribui në promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare.
Ai u nda nga jeta më 2 tetor 2017, në Berlin. Sipas amanetit që la së gjalli, Robert Elsie u varros në Theth.
/r.e/