E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roçen: Me Ambasadë në Kosovë dhe pa firmën e Presidentit

Ministri i jashtëm, Millan Roçen, tha sot se qeveria e Malit të Zi, mund ta hapë ambasadën në Kosovë, në nivel të të ngarkuarit me punë, edhe pa akreditimin, të cilin duhet ta nënshkruaj presidenti, Filip Vujanoviç.

Megjithatë, zoti Roçen, para gazetarëve në Podgoricë, ka shfaqur shpresën se “kjo nuk do të ndodhë”.

Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kishte thënë më parë se nuk do ta nënshkruajë dekretin për vendosjen e ambasadorit në Kosovë, e as që do ta pranojë akreditimin e ambasadorit të Kosovës në Podgoricë, derisa në Kosovë nuk njihet pakica kombëtare malazeze.

“Nuk do ta quaja këtë kundërshtim ndaj hapjes së ambasadës”, tha Roçen dhe shtoi se “presidenti Vujanoviç vetëm e ka theksuar atë që është në kompetencë të tij”.

Millan Roçen mendon se me miratimin e ligjit, me të cilin parashihen ndryshime në Kushtetutën e Kosovës dhe njohja e statusit të bashkësisë kombëtare malazeze në Kosovë, është “krijuar parakushti” në të cilin “insiston” zoti Vujanoviç.

Qeveria e Malit të Zi, më herët vendosi që ta hapë ambasadën në Prishtinë, kështu që Roçen vlerësoi se për realizimin e një vendimi të tillë nuk është e nevojshme që presidenti “ta nënshkruaj akreditimin, pasi përfaqësia diplomatike mund të hapet në nivelin e të ngarkuarit me punë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›