E Diel, 1 Nëntor 2026

Rol kyç pas rënies së Gadafit, kush është kreu i ushtrisë libiane që vdiq nga rrëzimi i avionit në Turqi

Një avion privat u rrëzua jashtë Ankarasë, ku pjesw e bordit ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të qeverisë së Tripolit, gjeneral-lejtnant Mohammed Ali Ahmed al-Haddad.

Delegacioni ushtarak libian ndodhej në një vizitë njëditore në Ankara, ku ishte takuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Turk, gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, si dhe me ministrin e Mbrojtjes, Yasar Guler.

Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pasi Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë miratoi dekretin e presidentit Recep Tayyip Erdogan për zgjatjen e qëndrimit të trupave turke në Libi edhe për 24 muaj, duke filluar nga 2 janari 2026.

Kush ishte Mohammed al-Haddad?

Gjeneral-lejtnant al-Haddad ishte një nga figurat më të rëndësishme të udhëheqjes ushtarake në Libi.

I lindur në vitin 1967 në Misrata, ai u diplomua në Akademinë Ushtarake Libiane në vitin 1987 dhe mori pjesë aktive në luftën civile të vitit 2011.

Gjatë konfliktit, ai iu bashkua forcave revolucionare që luftuan kundër regjimit të Muamar Gadafit, duke fituar reputacion si një udhëheqës i spikatur në ushtrinë e pasluftës.

Pas rënies së Gadafit, al-Haddad mori poste kyçe në ushtrinë libiane. Në vitin 2021, ai u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Libiane, duke udhëhequr përpjekjet për riorganizimin dhe ribashkimin e forcave nën Qeverinë e Unitetit Kombëtar (GNU).

Gjatë mandatit të tij, ai u fokusua në rivendosjen e kapaciteteve ushtarake dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar. Strategjia e tij për integrimin e milicive dhe krijimin e një strukture të unifikuar ushtarake u konsiderua vendimtare për rikthimin e rendit dhe sigurisë në vend.

Al-Haddad kontribuoi gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit rajonal me vendet e Afrikës së Veriut dhe Evropës, duke synuar stabilitetin dhe sigurinë e Libisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›