Festat e fundvitit, gjirokastritët zgjedhin Korçën, Shkodrën dhe Vlorën për Krishtlindje

Mes qytetarëve gjirokastritë ka nga ata që festat preferojnë t’i kalojnë duke udhëtuar drejt qyteteve apo shteteve të tjera. Agjencitë turistike që operojnë në këtë zonë thonë se destinacionet jashtë Shqipërie të përzgjedhura prej tyre këtë fundvit janë Greqia, Kosova dhe Mali i Zi.
“Rezervimet me rastin e festës së Krishtlindjeve kanë qenë më shumë të fokusuara në qytetin e Korçës, Shkodrës, por edhe të Vlorës. Ka qenë një destinacion i ri qyteti i Vlorës, kryesisht çifte të rinjsh dhe familjarë që kanë mbyllur rezervimet në resorte. Destinacioni i radhës për festën e ndërrimit të vitit ka qenë Kosova me Brezovicën dhe Prevallen” – u shpreh Valbona Bani, menaxhere në një agjenci turistike.
E ndërkohë që një pjesë e tyre do të largohen për disa ditë nga Gjirokastra, qyteti i gurtë do të mirëpresë në këto ditë banorë nga zona të ndryshme të Shqipërisë si nga Berati, Shkodra, Tirana e Korça, të cilët kanë rezervuar përmes agjencive turistike.
“Ka pasur shumë rezervime për të kaluar këto festa në Gjirokastër. Rezervimet më të shumta për të kaluar deri në dy netë kanë ardhur nga qytetarët e Tiranës.”
Pavarësisht kësaj, darka tradicionale e ndërrimit të viteve shumicën e tyre do t’i gjejë pranë familjes.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/