E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roman për gratë e forta

Romani “Tri gra të forta” i autores Marie NDiaye vjen në gjuhën shqipe në përkthim të Amantia Kapos dhe në botim të shtëpisë botuese “Toena”. Fitues i çmimit më prestigjioz në Francë, “Goncourt” më 2009, e bën autoren Marie NDiaye të parën femër me ngjyrë që merr këtë çmim, i cili ka një traditë 106-vjeçare. Libri “Tri gra të forta” (304 faqe), sipas botuesit, flet për tri gra afrikane, secila e ndarë (sikurse autorja) ndërmjet Afrikës dhe Francës: Norah kthehet te shtëpia e babait të saj në Afrikë; Fanta, e cila jep mësim në Dakar, por detyrohet të ndjekë të shoqin drejt një jete të vështirë në Francë; dhe së fundi Khady Demba, vejusha afrikane pa asnjë qindarkë në xhep, përpiqet të ndërmarrë një udhëtim për të shkuar në Francë të kushërira e saj. Ndjeshmëria artistike me të cilën autorja i përshkuan fatet e tyre, bën që çdo femër të gjejë një copë të së përditshmes në to. Autorja rreket të zbulojë se çfarë ka pas dyerve të familjeve: të vërtetat e fshehura. Ato të vërteta të frikshme, të cilat barten në shpirt e dihen nga të gjithë, por nuk thuhen. Karaktere të spikatura ndërthuren me ngjarje dinamike që u japin jetë ngjarjeve e personazheve. Kjo është një vepër që flet për rrënimin moral, por edhe për humanizëm; për vuajtjen dhe forcën. Kjo nuk është historia e tri femrave afrikane, kjo është historia e të gjitha femrave, në çdo cep të rruzullit tokësor, që brenda tyre mbartin një forcë të jashtëzakonshme për t’u ngritur e për të ecur me kokën lart. Autorja është shprehur se kjo vepër është një kompozim muzikor, ku të tria pjesët lidhen nga një temë e vetme. E përkthyer njëkohësisht në gjermanisht, italisht, dhe spanjisht, “Tri gra të forta” përçon frymën e pozitivizmit dhe të shpresës. NDiaye, tashmë 42-vjeçare, është lindur në Francë, nga një baba senegalez dhe nga një nënë franceze. Ajo filloi të shkruajë qysh kur ishte 12 vjeçe dhe në moshën 18-vjeçare botoi romanin e parë: “Për një të ardhme të pasur”. Më 2001 fitoi çmimin “Femina” për romanin “Rosie Carpe”. Veprimtaria e saj letrare tash për tash numëron dhjetë romane, katër drama, tre romane për fëmijë dhe një ese. Përveç temave sociale (diferencave racore dhe gjinore) historitë e saj janë shpesh surreale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›